Rutina në sportelet e gjykatave është pikërisht si kjo ditë e Nezir Abdullait i cili është në pritje për një datë gjyqi për procesin e bashkëshortes.
Hasija është një e moshuar që nuk e ka marrë ende pensionin, pasi i duhet të bindë drejtësinë se ka punuar në kooperative, por letrat u zhdukën jo për faj të saj.
Beteja e saj nisi në Dibër dhe tani të moshuarit kanë ngecur mes kompetencave të gjykatave dhe të backlogut prej vitesh.
“13 herë, hajde interesohu, shih për letra këndej-andej. Më thonë se është mbushur me dosje, a unë duhet t’i zgjidh dosjet”– shprehet Nezir Abduallai.
Megjithë dosjet që gjyqtarët po i evadojnë me shpejtësi, në Gjykatën e Apelit stoku ka shkuar në 19 mijë.
Në kushtet kur gjykatat janë paralizuar nga stoku i dosjeve, postulati ‘drejtësi e vonuar drejtësi e mohuar’, është më shumë se kurrë aktual për qytetarët.
Ata janë kthyer në juristë dhe po ngrenë padi ku kërkojnë nga gjykata shpallen e shkeljes së afatit të arsyeshëm të gjykimit.
Kjo është një nga dhjetëra padi të dorëzuara në gjykatë përmes të cilës kërkohet përshpejtim gjykimi për të kapërcyer radhën e pritjes. Qytetarët i sjellin në vëmendje gjyqtarëve se Strasburgu është shprehur për shkeljen e gjykimit brenda afateve dhe se Shqipëria mund të penalizohet për këto vonesa.
“A do jem apo jo gjallë”- shprehet e shqetësuar një qytetare.
Gjykatat me stokun më të madh janë Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit dhe me pas gjykatat e shkallëve të para.
“Akoma nuk del e planifikuar, po shqyrtohen çështjet që janë regjistruar në vitin 2017. Sipas datës së regjistrimit në Gjykatën e Apelit. Shpresojmë në shtimin e organikës…”- i thotë punonjësja e gjykatës Nezirit.
“Po patët nevojë, vijë edhe unë punoj, t’i ndihmoj ata”- shprehet qytetari.
Top Channel