Australia ka anuluar një vendim të marrë katër vjet më parë për të njohur Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit.
Vendimi i Canberra-s në vitin 2018 kishte minuar paqen dhe e kishte vënë Australinë jashtë hapit me kombet e tjera, tha Ministrja e Jashtme Penny Wong.
Ajo theksoi se Australia mbetet një “mik i palëkundur” i Izraelit. Ambasada e saj do të qëndrojë në Tel Aviv.
Statusi i Jeruzalemit është një nga çështjet më të kontestuara mes Izraelit dhe palestinezëve.
Kryeministri izraelit Yair Lapid tha: “Në dritën e mënyrës se si u mor ky vendim në Australi, si një përgjigje e nxituar ndaj një raporti të pasaktë në media, ne mund të shpresojmë vetëm që qeveria australiane të menaxhojë çështjet e tjera më seriozisht dhe më profesionalisht.
“Jerusalemi është kryeqyteti i përjetshëm dhe i bashkuar i Izraelit dhe asgjë nuk do ta ndryshojë kurrë këtë.”
Ish-presidenti i SHBA Donald Trump tërhoqi kritika ndërkombëtare në vitin 2017, kur ai përmbysi dekada të politikës së jashtme amerikane duke njohur qytetin antik si kryeqytetin e Izraelit. Ambasada amerikane u zhvendos nga Tel Avivi në Jerusalem në maj 2018.
Muaj më vonë, kryeministri i atëhershëm i Australisë Scott Morrison njoftoi se qeveria e tij do të ndiqte shembullin.
Në atë kohë, Morrison tha se Australia do të njohë Jerusalemin Perëndimor menjëherë, por nuk do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi derisa të arrihet një zgjidhje paqeje.
Qeveria e Morrison humbi pushtetin në zgjedhjet e majit të këtij viti.
Të martën, Ministrja e Jashtme Penny Wong e quajti vendimin e ish-qeverisë një “lojë cinike” për të fituar mbi votuesit hebrenj përpara zgjedhjeve në Australi.
Top Channel