Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, foli me tone të ashpra këtë javë mbi politikën e jashtme evropiane, në kohën kur bota po përjeton, sipas tij, një “pasiguri radikale”, pasi ngjarje të paimagjinueshme “po ndodhin njëra pas tjetrës”.

Gjatë një fjalimi vjetor drejtuar diplomatëve të BE-së që kishte për qëllim “të shkundte themelet” e diplomacisë evropiane, Borrell veçoi disa nga dobësitë emergjente të Evropës në aspektin diplomatik dhe atë demokratik.

Ai, gjithashtu, vlerësoi veçanërisht figurën e Olivier Schmitt, profesor në qendrën për studime të luftës në Universitetin e Danimarkës (SDU), për identifikimin e varësisë ekonomike dhe energjetike nga Rusia dhe Kina në prosperitetin e BE-së dhe varësinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi sigurinë, si pjesë të problemit.

Në intervistën e tij të vetme që nga fjalimi ku u përmend nga shefi i diplomacisë së BE-së, Schmitt, autor i librave si “Aleatët që kanë rëndësi” dhe “Partnerët e rinj në luftën e koalicioneve” foli përmes e-mailit me korrespondentin e Radios Evropa e Lirë, Andy Heil mbi shembjen e rendit ndërkombëtar, kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe Kina dhe kërcënimet ndaj demokracisë nga brenda kontinentit evropian.

Radio Evropa e Lirë: Në një nga vlerësimet e tij publike mbi gjendjen e çështjeve evropiane dhe ato globale, Borrell më 10 tetor përshkroi një “proces…në të cilin BE-ja i ka shkëputur burimet e prosperitetit nga ato të sigurisë së saj” dhe tha se ju e kishit artikuluar më së miri këtë trend. Për ata që nuk janë të njohur me shkrimet tuaja, a mund t’i përshkruani me fjalë të thjeshta argumentet tuaja kryesore?

Olivier Schmitt: Është kryesisht një vëzhgim empirik: nëse e përshkruaj tablonë në vija të trasha, që nga fundi i Luftës së Ftohtë, prosperiteti evropian është bazuar në përfitimin e mbrojtjes nga SHBA-ja, nga nafta dhe gazi rus dhe nga tregtia me Kinën. Ky është një ndryshim nga koha e luftës së ftohtë, kur SHBA-ja ishte në të njëjtën kohë, edhe garantuesi i sigurisë dhe partneri kryesor tregtar për Evropën Perëndimore (ndërsa burimet e energjisë ishin gjithmonë të ndryshme).

Ndarja e burimeve të sigurisë dhe atyre të prosperitetit, dhe vendosja e prosperitetit në dorë të aktorëve me agjenda politike (potencialisht) armiqësore, ka kontribuar në vulnerabilitetin gjeopolitik të Evropës.

Radio Evropa e Lirë: A ka kontribuar ky ndryshim për të cilin po flisni në ngjarjet e fundit në arenën ndërkombëtare, si pushtimi i Ukrainës nga Rusia?

Olivier Schmitt: Deri në një farë mase. Unë besoj se zoti Putin ka mësuar nga ndërveprimet e tij me liderët perëndimorë, që sapo të përdorte forcën, ata do të nxitonin për arritjen e një marrëveshjeje dhe se përmes pozitave fitimprurëse ishte relativisht e lehtë të kishe ndikim ndaj ish politikanëve të nivelit të lartë (si kancelarët gjermanë apo kryeministrat francezë).

Me siguri, ai besonte gjithashtu se varësia e Evropës ndaj naftës dhe gazit rus do t’i shtynte liderët evropianë të braktisnin Ukrainën (dhe ndoshta ai ende beson se kjo do të ndodhë në një moment gjatë këtij dimri). Sigurisht, ky nuk është shpjegimi i vetëm për pushtimin e Ukrainës, që gjithashtu ka të bëjë shumë me ideologjinë e saj neo-imperialiste, por sigurisht që e bëri zotin Putin të besonte se ai kishte një avantazh të fort strategjik.

Radio Evropa e Lirë: A mundet që përgjigja e Perëndimit ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe një shtytje e ripërtërirë për të kufizuar ndikimin kinez, të mund të përshpejtojë ose të ndikojë në ndryshimin e situatës? Pikërisht kur rendi i pasluftës dukej i shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme, kemi këto impulse të unitetit perëndimor dhe, në mungesë të një alternative më të mirë, mbrojtjen e SHBA-së.

Olivier Schmitt: Unë besoj se lufta në Ukrainë dhe pranimi gradual i faktit që tregtia me Kinën nuk është beninje dhe ka pasoja gjeopolitike, mund ta ndryshojnë këtë proces. Por, duhet marrë parasysh që janë krijuar edhe interesa thellësisht të lidhura biznesi të cilat do t’u rezistojnë sa më shumë që të munden këtyre ndryshimeve.

Radio Evropa e Lirë: Borrell paralajmëroi se “gjithnjë e më shumë, pjesa tjetër e botës nuk është gati të ndjekë…modelin tonë”. Duke qëndruar në Evropë, a ka shtete ku po ndodh diçka e tillë — për shembull, Hungaria me në krye kryeministrin Viktor Orban? Ose në vende ku këto efektet zbuten nga një shkallë më e vogël e integrimit në strukturat perëndimore – si për shembull, rajoni i Ballkanit apo i Kaukazit? A janë këto rajone në rrezik të barabartë nga efektet e asaj për të cilën po flisni?

Olivier Schmitt: Hungaria është një rast i qartë i një vendi që kundërshton BE-në mbi baza ideologjike (dhe bën kompromis me Rusinë dhe Kinën), ndërkohë që është më se e lumtur të përfitojë nga paratë evropiane për të financuar sistemin e saj të brendshëm . [Grupi i Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian] (dhe në veçanti konservatorët gjermanë) kanë qenë më se të lumtur të toleronin sjellje të tilla përderisa kjo i ka sjellë përfitime industrisë gjermane.

Është shembull i qartë ku interesat e biznesit vihen mbi interesat e sigurisë, në këtë rast themelet liberale të rendit evropian. Në përgjithësi, tensioni i krijuar mes sigurisë dhe prosperitetit rritet nga procesi i globalizimit, kështu që shumë vende e përjetojnë atë në shkallë të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë: Cili është rreziku i madh për Perëndimin dhe për botën, nëse kjo “ndarje” vazhdon? Ju paralajmëruat në artikullin tuaj “Rikompozimi i aleancave në shekullin e 21-të” për “shembjen” e mundësive për aleanca dhe “ndërveprimin dhe arbitraritetin e liderëve politikë mes sigurisë dhe autonomisë”. Çfarë lloj arkitekture ndërkombëtare prisni të shfaqet për shekullin e 21-të?

Olivier Schmitt: Rreziku më i madh është padyshim që kjo ndarje u jep aktorëve të jashtëm, dhe potencialisht armiqësorë, shumë mundësi për të formësuar dhe ndikuar sigurinë dhe jetën politike të vendeve evropiane. U lejon atyre të promovojnë interesat e tyre nga lobe specifike, u ofron atyre mundësi për të vendosur detyrime ekonomike, etj. Në përgjithësi, ekziston nevoja për të pajtuar mendimin e komunitetit të biznesit dhe atë të specialistëve të sigurisë: këto dy komunitete janë shumë të largëta njëri me tjetrin.

Radio Evropa e Lirë: Këtë javë, Rusia e shpalli pronarin e Facebook-ut, Meta, një organizatë “ekstremiste”, ndërsa Tesla, SpaceX dhe Starlink në pronësi të Elon Musk kanë ndikuar në mënyrë të konsiderueshme dhe kontroverse mbi luftën e Ukrainës dhe mosmarrëveshjet midis Kinës e Tajvanit. Ndikimi i Metës është i dukshëm dhe Musk është një vizionar, por me interesa të qarta biznesi. Çfarë roli luan biznesi dhe industria në ekuacionin tuaj, duke kapërcyer apo zgjeruar “ndarjen” për të cilën po flisni?

Olivier Schmitt: Qartësisht duke e zgjeruar këtë ndasi. Kuptohet që biznesi udhëhiqet nga fitimi: politika gjithmonë pengon rrugën, nga këndvështrimi i tyre. Por kjo është përgjegjësi e liderëve politikë për të balancuar nevojat e prosperitetit dhe nevojat e sigurisë për komunitetet e tyre politike: ndonjëherë, kur është e nevojshme duke frenuar interesat e biznesit.

Radio Evropa e Lirë: A ishit në dijeni se Borrell kishte aq njohuri mbi punën tuaj dhe kishte në plan t’ua citonte atë në mënyrë eksplicite ambasadorëve të BE-së, dhe çfarë do të shpresonit që të arrinte?

Schmitt: Nuk kisha absolutisht dijeni, pasi nuk kam qenë në kontakt me Borrell ose me ekipin e tij, por sigurisht që më bëhet qejfi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA