Muhammad Naeem Khoso ka humbur mijëra dynymë të mbjella kur shirat e përbindshëm përmbyten Pakistanin në korrik e gusht, duke kthyer tokat e tij në Jaffarabad në një liqen.
“Kisha investuar 40 milionë rupi ($160 000) në të mbjella të ndryshme, kryesisht oriz,” thotë ai. “Kam humbur thuajse të gjitha. Përmbytjet shkatërruan e morën me vete gjithçka”, shkruan e përditshmja britanike The Guardian.
Khoso thotë se nuk kishte parë kaq shumë shi kurë në jetën e tij, teksa shton: “Tani i trembemi krizës së urisë në zonën e Balochistan e më tej.”
Në të gjithë provincën shtëpi e mjete jetesë u morën nga ujërat e përmbytjeve. Në një kohë kur bujqësia është burimi kryesor i të ardhurave në zonat Jaffarabad, Sohbatpur, Nasirabad e Jhal Magsi, teksa 70% e të mbjellave janë shkatërruar nga përmbytjet.
Në të gjithë vendin rreth 2 milionë hektarë tokë e mbjellë janë shkatërruar, në një dëm që autoritetet llogarisin në rreth 30 miliardë dollarë.
Sekretari i OKB, António Guterres, tha se efektet e përmbytjeve do të ndjehen për vite me radhë dhe shtoi se vendi është në prag të katastrofës shëndetësore.
Në rajonin e Larkana, Sajid Ali, thotë se më shumë se 70% e të mbjellave janë shkatërruar. “Njerëzit kanë humbur të mbjellat dhe disa, edhe farat e drithit të cilat i ruanin në hambarë për sezonet e ardhshme”.
“Toka është ende nën ujë dhe nuk mund të mbjellim këto për shumë kohë”.
Ministrja Sherry Rehman tha se gjysma e ‘shportës së ushqimit’ të Pakistanit ishte flakur tej nga përmbytjet.
“Ka tronditje në sigurinë e ushqimit. Nuk e dimë si do të kryhet sezoni i mbjelljeve me kaq shumë ujë e tokë kaq të njomë”, tha ajo për Guardian.
Agjencia Atlantic Council llogariste dëmet në bujqësi në $3.18miliardë, dhe në blegtori $291milionë, shumica e të cilave në Balochistan e në Sindh.
Mohammed Ali në Balochistan dhe Sajid Ali in Sindh thanë se nuk kanë marrë ende ndihmë nga qeveria teksa shumë punëtorë fermash tanimë janë të pastrehë.
50 vjeçari Mohammed Rasool, ka fjetur jashtë prej një muaji, së bashku me rreth 250 familje që punonin në tokat e pronarit, ish-ministri Saleem Khan Khosa.
“Kam punuar për pronarin e tokës që kur isha fëmijë dhe e gjithë familja ime punon për të”, thotë Rasool. “Tani jemi në rrugë, nuk kemi për të ngrënë deh jetojmë pa strehë”.
Ai thotë se nuk kishte parë kurrë përmbytje të tillë. “Nuk kurseu asnjë shtëpi, gjithçka u shkatërrua,” shton ai.
Top Channel