KE pritet të miratojë nesër progress raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në media janë publikuar të dhëna nga ky draft.
Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përmendet fakti se këto dy vende i kanë nisur negociatat e anëtarësimit, pas një pune intensive, dhe kjo shënon një moment historik në raportet e këtyre dy vendeve me Bashkimin Evropian.
Në rastin e Shqipërisë vlerësohet progresi në forcimin e strukturave për integrim në BE, por kërkohet që në këtë drejtim të ketë më shumë bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile. Aty nënvizohet se konflikti i madh i brendshëm me partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike(PD,) ka ndikuar në jetën parlamentare në Shqipëri.
Komisioni pranon se Shqipëria ka vazhduar luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe si shembull përmenden dënimet e disa ish-zyrtarëve të lartë. Shqipërisë i kërkohet që të bëjë më shumë përpjekje në parandalimin e pastrimit të parave. Një çështje që Komisioni Evropian kërkon në mënyrë të veçantë në Shqipëri është angazhimi për të penguar emigrimin ilegal, sidomos të personave të mitur.
Maqedonia e Veriut, sipas raportit, i ka vazhduar përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, pavarësisht disa sfidave. Nga Shkupi kërkohet që të ketë më shumë vullnet politik për të reformuar sistemin zgjedhor. Edhe në Maqedoninë e Veriut Komisioni ka vërejtur se polarizimet politike kanë ndikuar që Parlamenti të vonojë miratimin e disa ligjeve.
Maqedonia e Veriut ka shënuar “një lloj progresi” në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tash kërkohet më shumë fokus në implementimin e kornizës ligjore që ekziston, për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit./rel
Top Channel