Në Maqedoninë e Veriut për çdo vit diagnostikohen më shumë se 150 gra me kancer në qafën e mitrës.

Por, edhe kundrejt këtyre shifrave, vetëm një numër prej më pak se 40 për qind e grave vendosin të vaksinohen kundër papilloma virusit human (HPV) që shkakton këtë sëmundje.

Mungesa informacionit dhe paragjykimet janë ato që sfidojnë vaksinimin kundër kësaj sëmundje.

Rita Beadini, aktiviste për të drejtat e grave, thotë se është vaksinuar si 13-vjeçare në shkollë fillore falë informacionit që kanë pasur prindërit e saj për rëndësinë e vaksinës kundër kancerit në qafën e mitrës.

“Jam vaksinuar në shkollë fillore, në moshën 13 apo 14-vjeçare. Meritën për këtë e kanë prindërit e mi që e kanë ditur rëndësinë e vaksinave dhe kanë dashur që fëmijët e tyre të jenë të shëndetshëm dhe të sigurtë”, thotë Rita Beadini.

Por, Jasmina Hajdarpashiq thotë se nuk planifikon ta vaksinojë vajzën e saj 11-vjeçare pasi nuk është e bindur se kjo vaksinë sot është dobiprurëse për të.

“Jo nuk do ta vaksinoj. Unë nuk e kam marrë atë vaksinë dhe s’më ka gjetur gjë. Pse ta vaksinoj vajzën me diçka që nuk dimë se çka është me saktësi”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, Katerina Kërsteva, e cila gjatë këtij muaji e ka vaksinuar vajzën e saj 13-vjeçare me vaksinën kundër papilloma virusit human (HPV), thotë se vendimi ka ardhur pas shumë konsultimeve me mjekët specialistë.

“Kisha shumë dilema, por pas konsultimeve me mjekët specialistë, arrita ta kuptoj rëndësinë e vaksinës për sa i përket shëndetit të vajzës sime. Dilemat e mia kishin të bënin me informacionet jo të plota, të cilat qarkullojnë në rrjetet sociale”, tregon Kërsteva.

Institucionet me fushata vetëdijesuese për rëndësinë e vaksinimit

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se politikat e dikasterit në fjalë mbeten të fokusuara në kujdesin e shëndetit të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, përfshirë këtu dhe aktivitetet parandaluese në kuadër të “Programit për zbulimin e hershëm të tumoreve malinje, pjesë e skriningut për kancerin e qafës së mitrës”.

Për këtë arsye, nga ky dikaster janë organizuar dhe fushata vetëdijesimi për rëndësinë e marrjes së vaksinës HPV, në të cilat fushata ka marrë pjesë edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Profesionistët shëndetësorë thonë se duhet punuar edhe më shumë, pasi shkalla e vaksinimit në Maqedoninë e Veriut është shumë e ulët krahasuar me vendet evropiane.

Mjekja Sanja Cilevska thotë se për atë se sa është serioz problemi flet fakti që klasa të tëra në shkollat fillore refuzojnë të vaksinohen kundër HPV-së.

“Interesante është se këtë vaksinë që në fillim refuzojnë ta marrin nxënëset e gjithë klasës. Për shembull, në një klasë vetëm një ose dy vajza vijnë për t’u vaksinuar, pavarësisht se kanë qenë të informuar, me kohë si institucioni arsimor, ashtu dhe prindërit e tyre”, tregon mjekja Sanja Cilevska. Ajo shton se, fatmirësisht, viteve të fundit ka shënuar rritje numri i vajzave mbi moshën 15 përkatësisht 18-vjeçare që paraqiten vetë në punktet e vaksinimit për të marrë vaksinën HPV.

Ndërkaq, Igor Allullovski, nga Klinika Universitare e Gjinekologjisë dhe Akusherisë konsideron se fushata duhet orientuar në informimin e mirëfilltë të prindërve për rëndësinë e vaksinimit pikërisht për këtë kategori.

“Përderisa prindërit janë ata që vendosin se do të marrin ose jo vaksinën HPV vajzat e tyre të mitura, atëherë dhe fushata duhet të orientohet në edukimin dhe informimin e prindërve për rëndësinë ë kësaj vaksine”, thotë ai.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut vaksina HPV është e vendosur në kalendarin e vaksinimit nga viti 2010 për të gjitha vajzat e moshës 9 deri 26-vjeçare.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se në të ardhmen planifikohet vaksinimi kundër këtij virusi edhe për djemtë e kësaj moshe./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA