Një sulm me raketa shkaktoi 11 viktima në Zaporizhzhia, ndërsa ekipet e kërkimit po vijojnë punën për të gjetur të mbijetuar.
“Operacionet e urgjencës dhe të shpëtimit janë duke vazhduar në vendin e ndërtesave të banimit të shkatërruara si rezultat i sulmeve me raketa”, tha Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës, sipas CNN.
Trupat e 11 personave që humbën jetën në sulme u nxorën nga dy ndërtesa banimi, ndërsa deri më tani janë shpëtuar 21 persona.
Moska nisi një seri sulmesh fatale me raketa në qytetin e Zaporizhzhia gjatë së enjtes, vetëm disa orë pasi Kremlini nënshkroi një dekret për të kapur zyrtarisht një termocentral masiv bërthamor aty pranë.
Qyteti i Zaporizhzhia nuk është shumë larg vijës së parë të konfliktit. Megjithëse qyteti është nën kontrollin e Ukrainës, rreth 75% e rajonit më të madh Zaporizhzhia është i pushtuar nga forcat ruse.
Ky rajon është një nga katër territoret ukrainase që Rusia pretendon të aneksojë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Top Channel