Të paktën 20 të vdekur dhe 13 persona të humbur ka shkuar bilanci tragjik i dy incidenteve të veçanta në brigjet greke, pasi dy varka me emigrantë janë mbytur në 24 orët e fundit.

Anijet e Rojës Greke  në bashkëpunim me helikopterë Super puma vazhdojnë operacionin e shpëtimit në brigjet e ishullit të Lesvos, ku një barkë me të paktën 40 emigrantë me origjinë afrikane ka futur ujë e më pas është mbytur në një det tepër të trazuar në pjesën veriore të ishullit natën e kaluar.

Të paktën 18 vetë, 16 gra, një burrë  dhe një fëmijë kanë humbur jetën ,ndërsa janë shpëtuar 25 të tjerë,11 gra dhe 14 burra.

Nga samiti i Pragës,kryeministri Mitsotakis  duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e jetëve njerëzore ka bërë thirrje për bashkëpunim në parandalimin e tragjedive të tilla.

Kyriakos Mitsotakis:  Besoj se ka ardhur koha për të bashkëpunuar realisht në një mënyrë shumë më thelbësore, për të shmangur përsëritjen e incidenteve të tilla në të ardhmen dhe për të eliminuar plotësisht trafikantët  që grabisin njerëz të pafajshëm, njerëz të dëshpëruar, të cilët përpiqen të arrijnë në kontinentin evropian me mjete krejtësisht të pasigurta.

Ndërkohë xhiron e mediave greke dhe të huaja kanë bërë pamjet dramatike nga operacioni i shpëtimit pranë ishullit Kythira ,ku 80 persona, 18 fëmijë, 7 gra dhe 55 burra, janë shpëtuar pasi barka në të cilën ndodheshin është përplasur dhe shkatërruar në gurët e mprehtë në bregun më shkëmbor të tij.

Të mbijetuarit që kacavirreshin në shkëmbinjtë e thepisur 12 metra të lartë thanë se rreth 95 njerëz ishin në barkë, por autoritetet kanë gjetur vetëm trupat e dy personave që kanë humbur jetën dhe të paktën 13 të tjerë konsiderohen të humbur.

Zëdhënësi i qeverisë grek ka akuzuar Turqinë si përgjegjëse për këto tragjedi duke theksuar se do të kemi vazhdimisht viktima për sa kohë  që Ankaraja nuk i përmbahet konventave ndërkombëtare që ka nënshkruar.

Giannis Ikonomou: Ajo që është e kuptueshme nga të gjithë është fakti se nuk ikin vetë anijet nga brigjet turke duke i rënë mes përmes Egjeut. Kjo që ndodhi dje me trafikantët është një akt kriminal. Në këtë kushte të tejskashme të motit, këto anije që nuk kanë asnjë masë sigurie, të marrin njerëz për ti çuar drejt brigjeve, është një akt kriminal dhe ka përgjegjësi për këtë.

Greqia dhe Turqia akuzojnë njëra tjetrën për çështjen e emigrantëve , në një moment kur përsëri është rritur ndjeshëm fluksi  nga brigjet turke drejt atyre greke, ndërsa Athina ka forcuar dukshëm sigurinë në Egje , por edhe në kufirin e saj tokësor me fqinjin e saj lindor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA