Në takimin e Bashkimit Europian në kuadër të krizës energjetike me të cilën po përballen vendet, do të jetë pjesë edhe Ballkani Perëndimor.
Nga Praga, Rama tha për mediat se edhe ministrat e Energjisë së Ballkanit do të marrin pjesë në takimin e BE-së për krizën energjetike që do të mbahet atje.
Kryeministri tha se fokusi kryesor do të jetë përballimi i krizës energjetike, teksa zbuloi se ka kërkuar që 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin ndihmë konkrete nga BE, pavarësisht nëse i kanë hapur apo jo negociatat.
“Me kërkesën time drejtuar kryetares së komisionit Europian është pranuar që të thirren edhe ministrat tanë të energjisë në takimin që do zhvillohet në Pragë për të trajtuar çështjen e energjisë si një çështje europiane. Në tryezën e rrumbullakët ku kam qenë bashkë me kryeministrin e Holandës tonë fokusi kryesor ka qenë kriza energjetike dhe si vendet tona, duke filluar nga vendet tona, duke nisur nga vendet që kanë hapur negociatat për anëtarësim, do duhet të ndihmohen drejtpërdrejte. Kam insistuar që duhet të përfshihen të 6 vendet, pavarësisht nëse i kanë hapur apo jo negociatat”, tha Rama nga Praga.
Top Channel