I zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës, Bajram Begaj dha sinjal që do të komunikojë me të gjithë faktorët politik, përfshirë edhe grupimin e Sali Berishës.
Por, socialistët nuk e fshehën zhgënjimin për kreun e shtetit, i cili konsultoi datën e zgjedhjeve lokale edhe me Oerd Bylykbashin, i zgjedhur nga PD-ja e drejtuar nga Sali Berisha në postin e nënkryetarit.
“Në Kuvendin e Shqipërisë, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së është Enkelejd Alibeaj. As Presidenti, as kush tjetër s’mund të dalë mbi vendimet e gjykatave dhe me çështjet e brendshme të një partie politike. Pyesni ata në çfarë statusi kanë qenë”, tha Taulant Balla.
Konsultime për zgjedhjet e pranverës zhvilluan jo vetëm socialistët dhe demokratët, por edhe partitë e vogla. Fusha e shahut politik pritet të ndryshojë sërish në prag të betejës lokale. Shpëtim Idrizi, i cili nuk ishte i pranishëm në tryezën qe Berisha zhvilloi me aleatet nuk e perjashtoi mundesinë e një bashkëpunimi të ri me socialistët.
“Ai grupim ka qenë grupim i përbashkët politik prej shumë kohësh. Unë s’kam qenë asnjëherë pjesë e këtij grupimi. PDIU do të jetë në kontakt me të gjitha forcat politike relevante për të pasur qëndrimet tona, duke pasur ekzistencën e këtyre zgjedhjeve se ka probleme te mbartura që duhen zgjidhur”, tha Shpëtim Idrizi.
Aleatët historik të demokratëve, pasi morën parimisht dakordësinë për të dalë me një kandidat të përbashkët, po shpresojnë një marrëveshje përfundimisht me Sali Berishën për t’u bërë dhe ata pjesë të tortës së zgjedhjeve vendore.
“I propozuam modalitetet si dilet dhe më e mira do të ishte selektimi përmes sondazheve ose me primare të hapura. Jo vetëm Berisha, por edhe deputetë të tjerë të shkëputur nga grupi Alibeaj kanë shprehur gatishmërinë për kandidaturën e përbashkët”, tha Agron Duka.
Jo vetëm me aleatët, zgjedhjet lokale, Sali Berisha po i sheh mundësi për t’u bashkuar edhe me pjesën e deputeteve që ndjekin linjën e Enkelejd Alibeajt. Urat e komunikimin janë vendosur, por duket se nuk do i presë pafund.
“Çdo deputet është i ftuar të kandidojë po të dojë, dhe të inkurajojë të tjerë të kandidojë. Do jenë primaret që do vendosin, jo kryesia dhe kryetari. Çdo deputet që dëshiron të kandidojë, është i ftuar të kandidojë. Janë bërë takime dhe do bëhen takime. Paloka po merret intensivisht me këtë. Por jo vetëm ai. Janë të hapura të gjitha dyert e komunikimit. Kjo ftesa ime publike është rasti i fundit. Ne mirëpresim çdo lloj sugjerimi”, tha Berisha.
Top Channel