Deputeti demokrat Ervin Salianji kërkoi interpelancë me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, ku kërkon të dijë çfarë plani ka qeveria për të luftuar krimin dhe paligjshmërinë.
Sipas Sallianjit, siguria në vendin tonë është cenuar ndjeshëm, por Çuçi nuk është i të njëjtin mendim. Nga foltorja e Kuvendit, ministri i Brendshëm përmendi disa shifra, që sipas tij tregojnë se vrasjet janë ulur ndjeshëm gjatë qeverisë Rama, krahasuar me qeverinë e mëparshme, të drejtuar nga Sali Berisha:
“Vjedhjet me pasojë vdekjen: Ishin 6 në vitin 2013, ndërsa vitin që shkoi nuk kishte asnjë të vdekur nga vjedhjet.
Vjedhjet me armë po ashtu janë ulur.
Për sa i përket narkotikëve, të gjithë indikatorët që lidhen me ndëshkimin flasin qartë për rritje të hetimeve dhe ndëshkimeve. Në vitin 2006 ishin evidentuar 444 raste të ndëshkimit, në 2021 i kemi çuar 3168.
Numri i vrasjeve me dashje: Në 2006 ishin 87 vrasje me 95 viktima. Në vitin 2007 105 viktima. Në vitin 2008 kanë qenë 88 vrasje me 93 viktima. Në vitin 2011 raportohen 124 numër vrasjesh me 122 viktima. Në vitin 2014-2015 kemi një trend zbtitës. Në vitin 2021, kanë qenë 61 numër vrasjesh, me 66 viktima.
Nuk mund të jem krenar për mesatarisht 60 vrasje me dashje që nga 2014 deri në 2021, por duke parë shifrat që mesatarja nga 2006-2013 ka qenë me 100 e ca vrasje, ka përmirësim. Duhet t’i japim falenderime Policisë së Shtetit”.
Por, a ka objektiva për parandalimin e krimeve në vend? Çuçi flet për angazhim të fortë të Ministrisë që drejton, ndërsa shprehet optimist për transformimin rrënjësor të Agjencisë të Mbikqyrjes Policore.
Top Channel