Presidenti i Republikës Bajram Begaj, nis takimet konsultative me krerët e partive politike dhe grupeve parlamentare, lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale.

Presidenti pritet të dekretojë datën se kur do të votohet për të zgjedhurit e ardhshëm vendorë, pas takimeve me përfaqësuesit politikë në Presidencë.

Kujtojmë se një ditë më parë, në Presidencë u pa të shkojë, kreu i qeverisë Edi Rama, edhe pse në përfundim të tij, asnjë prej palëve nuk zbardhi detaje të bisedës mes dy zyrtarëve në Presidencë.

Rreth orës 12:00, shkallët e presidencës është parë t’i ngjisë edhe Ilir Meta, i cili përfundoi mandatin e kreut të shtetit më 24 korrik të këtij viti, ndërsa sot konsultohet me Presidentin e Republikës, për datën e zgjedhjeve vendore, të cilat pritet të mbahen ditën e ardhshme.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj do të pritet nga Kreu i Shtetit pasditen e së mërkurës në orën 18:00.

Ndërkohë më herët Kreu i Shtetit kërkoi informacion nga KQZ lidhur me zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, mbajtur në 2019. Kreu i Shtetit kërkoi t’i vihet në dispozicion vendimi për shpalljen rezultatit final të zgjedhjeve.

Cfarë parashikon Kodi Zgjedhor për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore:

Caktimi i datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore

1. Data e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës. Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, Presidenti zbaton rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 9 të këtij Kodi.
2. Për efekt të këtij Kodi, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
3. Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Në rast ankimi të organit të shpërndarë ose të shkarkuar, zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga mbarimi i afatit që ka organi i shpërndarë për të ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, kur kjo e drejtë nuk është ushtruar, ose data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rast se është ankuar në këtë gjykatë brenda afatit të nenit 115 pika 2 të Kushtetutës. Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA