Grekët po shohin për herë të parë pas krizës energjitike rritjen më të madhe të çmimit të naftës së makinave. 

Dy ditë pasi qeveria ka hequr subvencionin prej 15 cent për litër që u jepte pikave të karburantit për gjashtë muaj rresht, çmimi i dizelit po kalon atë të benzinës.

Madje siç thuhet në shumë reportazhe të mediave greke çmimi është rritur edhe për faktin se duke ditur që do të hiqej subvencioni i shtetit, shumë kompani karburantesh dhe pika furnizuese kanë rritur deri në 10 cent çmimin prej fundjavës së kaluar dhe spekulimi ka bërë që konsumatorët ta blejnë naftën për makina në shumë vende me më shumë se dy euro litrin,ndërkohë që çmimi mesatar i benzinës është 1.97 cent.

Ajo që komentojnë analistët e tregut është fakti se megjithëse norma e akcizës për naftën është 410 euro për 1000 litra, shumë më e ulët në krahasim me benzinën që shkon në 700 euro për 1000 litra, çmimi i dizelit po rritet, edhe pse në tregun botëror ka disa javë që ka tendencë ulje.

Kjo rritje e menjëhershme e çmimit të karburanteve në Greqi ka  ndikuar edhe në  rritjen e çmimit të qindra mallrave të tjerë nëpërmjet rritjes së kostove të transportit në një moment që inflacioni në vend ka kaluar shifrën prej 12%.

Kështu pritet që të paktën 800 produkte në tregun ushqimor të rriten me mbi 10% deri ne fund të nëntorit, ku rritjen rekord do e shënojnë djathërat me 30%, produktet e tjera të bulmetit dhe mishit nga 7-8.5%, vaji i ullirit 10%, detergjentët nga 13-20% etj.

Me shqetësim presin konsumatorët edhe çmimin e naftës për ngrohje që do të fillojë të shpërndahet në 15 tetor, për të cilën qeveria ka deklaruar se do të subvencionohet me 25 cent për litër, e megjithatë do të jetë të paktën 25-30 cent për litër më i shtrenjtë se një vit më parë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA