Kthesë ‘poshtëruese’, Qeveria Truss tërhiqet nga plani për të ulur taksat për personat me të ardhura të larta

03/10/2022 11:57

Kryeministrja britanike, Liz Truss u detyrua të hënën të bëjë një kthesë që shumë e cilësuan si poshtëruese, pasi anuloi planet për të ulur shkallën më të lartë të tatimit mbi të ardhurat që solli ndezjen e një rebelimi në partinë e saj dhe trazira në tregjet financiare. 

Truss dhe ministri i saj i financave Kwasi Kwarteng, njoftuan një “plan të ri rritjeje” më 23 shtator, por plani shkaktoi një krizë të besimit të investitorëve në qeveri, duke goditur vlerën e paundit dhe duke tronditur tregjet globale në atë masë sa Banka e Anglisë duhej të ndërhynte me një program 65 miliardë paund për të përforcuar tregjet.

Vetëm disa orë pasi Truss shkoi në televizionin BBC për të mbrojtur politikën, Këarteng lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se kjo politikë ishte bërë shkak i një shpërqendrimi nga përpjekjet më të gjera për të ndihmuar familjet gjatë një dimri të vështirë.

“Si rrjedhim, po ju njoftoj se nuk po procedojmë me heqjen e taksës. E kuptojmë, ne ju kemi dëgjuar ”, tha ai në deklaratë.

Vendimi për të ndryshuar kursin ka të ngjarë të vendosë Truss dhe Kwarteng nën presion të madh, më pak se katër javë pasi ata erdhën në pushtet. Britania ka pasur katër kryeministra në gjashtë vitet e fundit politikisht të trazuar.

Kwarteng tha se nuk kishte menduar të jepte dorëheqjen. Truss, ish ministrja e jashtme 47-vjeçare e Britanisë, e cila mori detyrën më 6 shtator pasi fitoi një garë lidershipi midis anëtarëve të Partisë Konservatore, tha të dielën se ajo duhet të kishte bërë më shumë për të “hapur terrenin” për politikën në fjalë.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA