Bosnjë e Hercegovina po mban zgjedhjet e përgjithshme më 2 tetor, por pak ndryshim pritet për udhëheqjen e shtetit të mbërthyer nga klientelizmi, korrupsioni dhe varfëria.
Në total, 3.368.666 votues kanë të drejtë vote dhe ata do të zgjedhin 518 anëtarë të rinj të trupave qeveritarë.
Vendvotimet u hapën në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura për 12 orë. Për këto zgjedhje janë akredituar mbi 60.000 vëzhgues.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 votuan 14 për qind e votuesve me të drejtë vote, apo 3 për qind më shumë sesa në zgjedhjet paraprake të mbajtura më 2018.
Ndërkaq, pesë persona nga komisioni zgjedhor në qendrën e votimit në Hoziq, në veri të Bosnjës, janë arrestuar nën dyshimet se kanë kryer veprën penale të mashtrimit zgjedhor. Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës tha se të dyshuarit kishin sjellë në qendër të votimit një sasi të madhe të fletëvotimeve të plotësuara.
Zëdhënësi i Koalicionit për Zgjedhje të Lira “Nën Vëzhgim”, Hasan Kamanjakoviq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se komisionarët në Hoziq janë shkarkuar nën dyshimet për shkelje të Ligjit zgjedhor.
Votuesit në Bosnjë e Hercegovinë mund të zgjedhin nga mbi 100 parti dhe koalicione, në zgjedhjet e teta të përgjithshme të vendit.
Por, peizazhi paszgjedhor në këtë shtet të Ballkanit me gjasë do të dominohet nga personalitetet e njëjta që kanë lulëzuar në krizat ekzistenciale përgjatë viteve dhe madje kanë përforcuar qëndrimet e tyre etnike gjatë fushatë zgjedhore.
Për çfarë po votohet në këto zgjedhje?
Qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin tri anëtarët e Presidencës boshnjake dhe 42 deputetë të Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë parlamentare, për një mandat katërvjeçar.
Në nivel të entitetit, 98 deputetë do të zgjidhen për Parlamentin e Federatës boshnjake dhe kroate si dhe 83 për Parlamentin Kombëtar të Republikës Sërpska.
Po ashtu, në Republikën Sërpska zgjedhjet mbahen edhe për presidentin dhe zëvendëspresidentin e entitetit.
Në Federatën boshnjake dhe kroate, në total 289 deputetë do të zgjidhen në dhjetë parlamentet e kantoneve.
Në zgjedhje po marrin pjesë 127 subjekte politike, prej të cilave 72 janë parti, 38 koalicione dhe 17 kandidatë të pavarur. Në nivel të përgjithshëm, numri i personave që po garojnë në zgjedhje është 7.258.
Në mbarë vendin janë 5.903 qendra votimi dhe 21 qendra votimi janë hapur në ambasadat dhe misionet konsullore që Bosnjë e Hercegovina ka në vende të ndryshme.
Zgjedhjet po ashtu po mbahen në kohën e pushtimit rus të Ukrainës që ka ndarë edhe më tej Bosnjën dhe ka rritur frikën se mund të rriten tensionet në këtë shtet të Ballkanit Perëndimor.
Bosnja është e ndarë në Federatën boshnjake dhe kroate dhe në entitetin e Republikës Sërpska, sipas Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës trevjeçare në këtë ish-republikë të Jugosllavisë./ REL
Top Channel