Brazilianët iu drejtuan qendrave të votimit këtë të diel për të zgjedhur presidentin e tyre të ardhshëm, teksa vendi me 215 milionë banorë po përballet me krizë ekonomike dhe inflacion të lartë.
Procesi i votimit u mbyll në orën 17:00 sipas orës lokale.
Ndryshe nga zgjedhjet e fundit presidenciale, votimi ka përfunduar në të njëjtën kohë në katër zona të ndryshme kohore të Brazilit. Qendrat e votimit në Acre në veriperëndim të Brazilit u mbyllën në orën 15:00 me kohën lokale.
Votimi u bë në mënyrë elektronike dhe pritet që rezultate të dalin brenda një kohë të shkurtër. Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50% të votave të vlefshme, më pas zgjedhjet kalojnë në balotazh.
Dy kandidatët kryesorë janë Presidenti aktual Jair Bolsonaro dhe ish-Presidenti Luiz Inácio ‘Lula’ da Silva, që kërkon të rimarrë këtë post.
67-vjeçari i ekstremit të djathtë, Bolsonaro është përballur me kritika të shumta gjatë presidencës së tij. Ai është cilësuar si përgjegjës për shkatërrimin e pyjeve tropikale të Amazonës. Kritikët thonë se Gjykata e Lartë është fuqizuar gjatë kohës që Bolsonaro ka qenë në pushtet, në atë pikë sa ka shkuar përtej kompetencave të saj.
Për procesin e votimit, 67-vjeçari ka hedhur dyshime mbi besueshmërinë e sistemit elektronik, ç’ka ngre dyshime nëse ai do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, kandidati i majtë, 76-vjeçari Luiz Inácio ‘Lula’ da Silva, që ka qenë president i Brazilit në vitet 2003-2010 po lufton për të marrë sërish drejtimin e vendit. Kritikët e tij thonë se ish-presidenti është i korruptuar dhe kthimi në pushtet do të ishte një hap pas për demokracinë e vendit.
Top Channel