Anijet e telekomanduara, pjesë e strategjisë së marinës amerikane për indo-paqësorin

02/10/2022 22:57

Ndërsa ushtria amerikane vazhdon të analizojë forcën ushtarake të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit, marina e Shteteve të Bashkuara ka kthyer vëmendjen tek anijet e telekomanduara për të shtuar praninë e saj në rajon.

Katër anije pa kapiten në bord janë bërë pjesë e arsenalit më të ri të Marinës amerikane, “Sea Hunter”, “Seahawk”, “Nomad” dhe “Ranger”.

Këtë verë, marina amerikane i dha Zërit të Amerikës qasje të veçantë për t’i fotografuar ato për herë të parë.

“Ato nuk kanë furnizim me ujë dhe banjo. Për arsye sigurie, ato janë prodhuar për t’i dhënë mundësinë njeriut të hyjë brenda tyre vetëm për t’i ankoruar në port.”

Komandanti i Marinës amerikane Jeremiah Daley pranoi të intervistohej nga Zëri i Amerikës vetëm me audio regjistrim. Ai drejton divizionin e parë të përbërë nga anije të operuara nga distanca. Daley thotë se këto anije, që aktualisht po drejtohen nga njerëz në bord, një ditë do të ndihmojnë marinën amerikane të patrullojë më mirë Oqeanin Paqësor, me një sipërfaqe prej 165 milionë kilometrash katrorë.

“Paqësori është një trup i madh ujor dhe kombinimi i duhur i sistemeve pa njeri në bord, që mund të dislokohen në këtë mjedis, me sistemet me njerëz në bord, rrit aftësinë tonë për të patrulluar më mirë këtë zonë dhe për të ndërlidhur aparaturën tonë dhe të partnerëve tanë në rajon”, thotë zoti Daley.

Japonia, Singapori, Koreja e Jugut dhe Kina kanë programe për prodhimin e anijeve të telekomanduara. Ish-zyrtari i lartë i Pentagonit në Azi, Randy Schriver thotë se këto lloje anijesh janë kritike në përpjekjet për të ruajtur lirinë e lëvizjes në Indo-Paqësor përballë një ushtrie kineze në rritje dhe agresive.

“Hapësirat e kontestuara sigurisht që po rriten. Mendoj se prodhimi i automjeteve autonome nënujore ose lundruese është me kosto më të ulët se ato me njerëz në bord. Ato janë më praktike pasi nuk rrezikojnë jetën e marinarëve”, thotë Randy Schriver, ish-zyrtar i Pentagonit mbi strategjinë për Azinë.

Por, një raport i qeverisë amerikane i publikuar në korrik, ngre shqetësime mbi atë nëse marina e kupton mbështetjen logjistike të nevojitur për këto anije. Të tjerë, si James Siebens, studiues i strategjisë së mbrojtjes në Qendrën Stimson, janë të shqetësuar se këto anije mund të bëhen një objektiv ushtarak më tërheqës.

“Kina mund ta konsiderojë një anije pa njeri në bord si një objektiv që shkakton më pak tensione nëse përdoret për provat me raketa.”

Siebens thotë se pavarësisht këtyre shqetësimeve, anijet pa kapiten mund të jenë jetike në përgjigje të një bllokade kineze të Tajvanit.

“Ato mund të jenë në gjendje të furnizojnë Tajvanin pa e vënë në rrezik personelin e forcave të armatosura amerikane”, thotë ai.

Në dokumentet e publikuara së fundmi, Pekini thotë se ka hequr dorë nga premtimi për të mos dërguar trupa në Tajvan në një përpjekje të mundshme për pushtimin e ishullit. Zoti Schriver këmbëngul se Shtetet e Bashkuara duhet të investojnë në mjete të reja për të ruajtur paqen në rrugët ujore më të rëndësishme në botë.

“Por ne gjithashtu në këtë pikë duhet të mendojmë se si mund t’ia mohojmë kundërshtarit realizimin e objektivave të tij politike përmes përdorimit të forcës. Dhe tani, kjo mund të bëhet përmes shtimit të aftësive ushtarake, e jo pakësimit të tyre”, thotë ai.

Komandant Daley thotë se anijet e telekomanduara do të integrohen plotësisht në ushtrinë amerikane në vitet e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA