Të paktën 30 persona janë vrarë dhe 80 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me raketë ruse që ka goditur një konvoj me makina civile afër qytetit ukrainas Zaporizhja, ka thënë Policia e Ukrainës.
Më herët guvernatori rajonal, Oleksandr Starukh ka publikuar fotografi të makinave të djegura dhe trupave të shtrirë nëpër rrugë.
Starukh ka thënë se ekipet e shpëtimit janë në zonën e sulmit.
Sipas tij, konvoji ka qenë në rrugë për në territorin e pushtuar nga Rusia, meqë vozitësit kanë dashur të marrin familjarët e tyre dhe t’i dërgojnë në vende të sigurta.
Rusia nuk e ka komentuar këtë sulm, i cili ka ndodhur në ditën kur Moska aneksoi katër rajone ukrainase, përfshirë Zaporizhjan.
Ky vendim pason referendumet e rreme që kanë mbajtur zyrtarë të instaluar nga Rusia në katër rajonet ukrainase – Donjeck, Luhansk, Zaporizhja, Herson – të cilat janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./Radio Evropa e Lirë
Top Channel