Rrëmbimi dhe vrasja e Jani Prengës, dënohet me burgim të përjetshëm kopshtari i resortit në Shijak, Festim Bexhdili

29/09/2022 15:26
Jani Prenga, viktima

Gjykata e Posaçme ka vendosur të japë dënimin burgim të përjetshëm për Festim Bexhildin, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës.

Për Olsi Turjan, i akuzuar për  “pengim të zbulimit të të vërtetës”, gjykata dha tre vite burg, por kjo masë u shua pasi i ka kryer gjatë kohës së paraburgimit.

Tre muaj  më parë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për Festim Bexhdilin, kopshtarin e kompleksit ‘Golden’ në Shijak, i cili akuzohet për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës, në janar të vitit 2020.

SPAK pretendoi se Bexhdili e di se ku është fshehur trupi i pajetë i Jan Prengës, por nuk e tregon.

Çfarë dihet për rrëmbimin e Jani Prengës?

Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedent penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz.

Kjo, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës vodhi një sasi kokaine në Portin Portsmouth të Anglisë, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.

Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.

Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Kush është Dritan Rexhepi, Gentian Doçi dhe Altin Hajri?

Dritan Rexhepi listohet në një nga emrat më të kërkuar nga INTERPOL edhe pse ai vuan dënimin në burgun e Kuitos në Ekuador mbi të cilin rëndojnë dhjetëra akuza teksa kërkohet edhe nga Belgjika.  Vlonjati kërkohet edhe në Shqipëri për një sërë ngjarjesh kriminale që nga droga e deri tek rrëmbimi.

Ai rezulton i dënuar me 13 vite burgim për trafik të 278 kg kokainë dhe grup i strukturuar kriminal. Sapo të përfundojë dënimin në Ekuador, Rexhepit, do ekstradohet në Shqipëri, ku është dënuar me 25 vite burgim, për vrasje e dy policëve në Fushë-Krujë.

Gentian Doçi është pjesë e një prej bandave të Shkodrës, atë të “Dukagjinasve”.  Altin Hajri është pronari i resortit “Golden” ku u mor peng Jak Prenga.

Jani Prenga me një grua në lokal

Momentet e fundit para se Prenga të rrëmbehej e më pas të vritej

Top Channel sigurori edhe fotot para rrëmbimit të Jan Prengës, ku ky i fundit rreth orës 7:40 të mëngjesit të 17 janarit është së bashku me një grua në ambientet e një lokali. Ndërsa jashtë këtij lokali është një person që ruan lëvizjet që bënte Prenga. Nga fotot shihet se Jan Prenga ngrihet dhe largohet së bashku me gruan që pinte kafe me të, ndërsa ky ka qenë momenti i fundit që u pa në lagjen ku banonte, pasi më pas u rrëmbye në rrugën ‘London’ për t’u vrarë dhe më pas për t’u zhdukur.

Rrëmbyesit e transportuan nga Kamza me automjetin e vjedhur “Range Over”, në bodrumin e resortit “Golden”, nga ku më pas ai doli i pa jetë. Këto detaje dhe të dhëna i vërteton një kamera sigurie e këqyrur nga ekspertët e kriminalistikës, gjatë një hetimi intensiv. Gjithashtu ekspozoi një organizatë të njohur, bashkim i tre grupeve kriminale që vepron në fushën e trafikut të kokainës dhe që ka nisur veprimtarinë në Ekuador.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA