Kompania ajrore Wizz Air ka sjellë avionin e saj të nëntë në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza, një nga bazat e saj më të mëdha në Evropën Juglindore.
Avionët janë modelet më të fundit të markës Airbus me kapacitet deri në 230 vende, ndërsa në vetëm 6 muaj tre të rinj i janë shtuar flotës së Tiranës. Pasagjerët tashmë do të kenë mundësi të fluturojnë më shpesh drejt destinacioneve të preferuara.
Konkretisht me Italinë, drejt Milanos apo Romës do të fluturohet nga 10 – 17 herë në javë, ndërsa rritje të udhëtimeve do të ketë edhe për destinacionet drejt Francës dhe Gjermanisë
“Kam kënaqësinë të njoftoj zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit të Wizz Air në Shqipëri, duke shtuar avionin e nëntë në bazën tonë në Tiranë, këtë shtator. Rritja që po përjetojmë në këtë vend në një kohë kaq të shkurtër, është spektakolare dhe jam vërtet e lumtur që mund ta dëshmoj atë që nga fillimi. Me flotën tonë prej 9 avionësh në bazën e Tiranës, ne planifikojmë të rrisim frekuencat në 15 linja gjatë verës, duke u ofruar pasagjerëve tanë mbi 30 fluturime shtesë në javë. Synimi ynë është që t’i mirëpresim pasagjerët në bord edhe më shpesh“, shprehet Evelin Jeckel, ushtruese e detyrës zyrtare e rrjetit në Wizz Air Group.
Shefi operacional i Aeroportit nënë Tereza u shpreh se me bashkëpunimin e WizzAir, në aeroportin e Rinasit numri i pasagjerëve ka arritur rekorde të reja
“Që nga fillimi i funksionimit të tij në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës Wizz Air është përgjegjës për transportin e 1,780,000 pasagjerëve që nga 31 gushti, që përbën 54% të numrit të përgjithshëm të pasagjerëve të TIA-s në vitit 2022. Ky avion i ri është një tjetër burim i rëndësishëm që do të lejojë Wizz Air të rrisë fluturimet lidhëse nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Ne kemi edhe një zgjerim të terminalit, ndërsa kryefjala në aeroportin e TIA-s tani e tutje do jetë teknologjia. Me shtimin e kapaciteteve mendoj se jemi të aftë të përballojmë 7 – 8 milion pasagjerë”.
Avioni i ri në bazën e Tiranës do të thotë edhe më shumë të punësuar, pasi kompania me bazë në Hungari kërkon gjithnjë staf në vendet ku operon. Në këtë mënyrë rreth 50 vende të reja do të jenë në dispozicion për të rinjtë shqiptarë që kanë dëshirë të punojnë në industrinë e aviacionit.
Top Channel