Kievi tha se ka vendosur të zvogëlojë praninë diplomatike të Iranit në Ukrainë, në shenjë proteste ndaj dërgesave të dronëve në Rusi.
“Furnizimi i Rusisë me armë për të luftuar kundër Ukrainës është një akt jomiqësor që i jep një goditje të rëndë marrëdhënieve midis Ukrainës dhe Iranit”, tha ministria e Jashtme e Ukrainës në një deklaratë, më 23 shtator.
“Në përgjigje të një akti të tillë jomiqësor, pala ukrainase ka vendosur t’ia heqë akreditimin ambasadorit të Iranit dhe gjithashtu të zvogëlojë ndjeshëm numrin e stafit diplomatik të Ambasadës iraniane në Kiev”, vazhdon njoftimi.
Irani në të kaluarën ka hedhur poshtë akuzat e SHBA-së dhe Ukrainës se po furnizon me dronë Rusinë.
Më 14 shtator, ushtria ukrainase publikoi imazhe që të një droni të Iranit, i njohur me emrin Shahed-136. Ukraina tha se për herë të parë ka hasur në një dron vetëvrasës iranian, që është përdorur nga Rusia në fushëbetejë.
Në korrik, inteligjenca amerikane paralajmëroi se Irani po planifikonte të dërgonte qindra dronë në Rusi për t’i përdorur në luftën në Ukrainë.
Irani fillimisht kishte mohuar akuzat, por kreu i Gardës Revolucionare Islamike së fundmi është mburrur se shteti i tij po armatos fuqitë kryesore botërore.
Në mesin e shtatorit, presidenti rus, Vladimir Putin vizitoi Iranin dhe u takua me homologun e tij, Ebrahim Raisi. Ky ishte takimi i dytë me tyre në dy muajt e fundit, pasi presidenti rus ka vizituar Teheranin edhe më 19 korrik.
Top Channel