Në njërën prej deklaratave më të ashpra deri tani kundër Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë, Presidenti i KE-së, Charles Michel, deklaroi se ajo duhet përjashtuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Kur një shtet anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit fillon një luftë të paprovokuar dhe të pajustifikuar, një luftë e dënuar nga Asambleja e Përgjithshme, pezullimi i anëtarësimit duhet të jetë automatik, sipas mendimit tim.”

Reforma është e domosdoshme dhe duhet bërë urgjentisht, shtoi Michel duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork. Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit – SHBA, Franca, Britania, Rusia dhe Kina  kanë të drejtën e vetos mbi vendimet e organit më të lartë të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar vazhdimisht që Rusia të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit dhe t’i hiqet e drejta e vetos për shkak të luftës së nisur në muajin shkurt. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov kaloi të premten në kundërsulm duke kritikuar vendet perëndimore për mbështetjen e dhënë Ukrainës.

Ai e akuzoi perëndimin për “Rusofobi” dhe vazhdoi të përsëriste refrenin e Moskës se “po lufton formacionet neo-naziste në regjimin e Kievit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA