Përplasje Turqi-Greqi/ Mitsotakis në asamblenë e OKB-së: Vënia në dyshim e sovranitetit të ishujve kalon vijën e kuqe

24/09/2022 12:05

Pas akuzave të presidentit turk Rexhep Tayyip Erdogan se Greqia po kryen krime kundër njerëzimit duke torturuar në Egje emigrantët, si dhe për tensionet ushtarake mes dy vendeve ne Egje dhe Mesdheun Lindor, ka qenë radha e kryeministri grek të kundërpërgjigjet në fjalimin e tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara duke akuzuar udhëheqjen e Turqisë për minimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Turqia vë në dyshim sovranitetin grek në Egje ,po ndërton gradualisht një narrativë gjithëpërfshirëse të pretendimeve të rreme, kërcënon Greqinë me një casus belli duke përshkallëzuar një retorikë agresive të shoqëruar me një fushatë masive dezinformuese, ka thënë Mitsotakis:

“Nëse presidenti Erdogan dëshiron të flasë për “vijat e kuqe”, atëherë them këtë: pretendimet turke për sovranitetin e ishujve të Greqisë janë të pabaza dhe të papranueshme. Vënia në pikëpyetje e sovranitetit të territorit grek kalon “vijën e kuqe” për të gjithë grekët. Dhe si kryeministër i Greqisë, nuk do të bëj kurrë kompromis për asgjë që ka të bëjë me integritetin territorial, sigurinë dhe stabilitetin e vendit tim. Greqia nuk do të ngacmohet nga askush”.

Por Mitsotakis ka siguruar popullin turk se Greqia nuk është një kërcënim për vendin e tyre dhe se ka një mënyrë tjetër për një bashkëjetesë paqësore:

“Sot, nga Kombet e Bashkuara, dëshiroj t’i drejtohem jo vetëm udhëheqjes turke, por edhe drejtpërdrejt popullit turk me këtë mesazh: Greqia nuk është një kërcënim për vendin tuaj. Ne nuk jemi armiqtë tuaj. Ne jemi fqinjë. Ne vlerësojmë miqësitë e shumta mes qytetarëve të thjeshtë grekë dhe turq.E di që shumica dërrmuese në dy vendet tona nuk duan konflikte dhe armiqësi politike. Le të vazhdojmë, pra, në frymën e bashkëpunimit dhe miqësisë, me respekt të ndërsjellë dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Sa i përket situatës tragjike të emigrantëve në Egje, Mitsotakis ka theksuar se Turqia  ka instrumentalizuar emigracionin nga marsi i vitit 2020, kur në mënyrë aktive inkurajoi dhe lehtësoi dhjetëra mijëra njerëz të dëshpëruar të kalonin ilegalisht në Greqi për të ushtruar presion mbi Bashkimin Europian.

Greqia, ka thënë ai, do të vazhdojë të mbrojë kufijtë e saj, me respekt të plotë për të drejtat e njeriut . Roja jonë bregdetare ka shpëtuar dhjetëra mijëra njerëz në det. Por do të ishte shumë më e dobishme, është shprehur Mitsotakis, që dy vendet të bashkëpunonin në mënyrë aktive  edhe me Evropën për çështjen e migracionit.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA