Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç, zgjodhi që në fjalimin e tij në asamblenë e përgjitshme të Kombeve të Bashkuara të kritikonte vendet anëtare që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duke e shkelur siç tha, tërësinë tokësore të Serbisë.
Vuçiç mori fjalën menjëherë pas fjalimit të presidentit ukrainas Volodymir Zelenskyy.
“Ne kërkojmë një përgjigje të qartë në pyetjen që unë ua bëj prej vitesh bashkëbiseduesve të mi, udhëheqësve të shumë vendeve – cili është ndryshimi midis sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës dhe sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë që është shkelur rëndë dhe që shumë prej jush i jepni njohje dhe legjitimitet ndërkombëtar? Unë kurrë nuk kam marrë një përgjigje racionale nga askush”- tha Vuçiç.
Duke e cilësuar agresion ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për t’i dhënë fund shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga Serbia, Vuçiç tha se vendi i tij “me durim dhe vullnet të mirë është vënë në kërkim të një kompromisi për Kosovën” .
“Është një proces i vështirë, ka më shumë se dhjetë vjet që po vazhdon, por nuk shohim alternativë. Është më mirë të negociojmë njëqind vjet sesa të luftojmë një ditë. Jam i bindur se do të arrijmë një zgjidhje reciprokisht të pranueshme, e bazuar në kompromis, sepse kjo është absolutisht e vetmja mënyrë për të arritur qëllimin tonë, që është vendosja e paqes afatgjatë, si parakusht për një jetë të begatë për serbët dhe shqiptarët në rajonin tonë. Ne tashmë i kemi shteruar të gjitha mundësitë tjera dhe, të paktën për sa i përket Serbisë, nuk ëndërrojmë të kthehemi në shtigjet e konfliktit dhe gjakderdhjes. Rajoni i Ballkanit nuk mund të përballojë një konflikt tjetër”, tha presidenti serb.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, por të dyja vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe janë pajtuar që si pjesë e këtij procesi, të zgjidhin çështjet e pazgjidhura dhe të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore.
Top Channel