Nëna e 19-vjeçarit që u ekzekutua pak ditë më parë në Shkodër, ndihet e kërcënuar për jetën dhe kërkon drejtësi për vrasjen e djalit.
Sipas Elvira Xhenjes, Erjoni u vra për shkak të kushërinjve të tij që janë persona të përfshirë në grupe kriminale:
Vrasja e djalit ka qenë një tronditje e madhe për familjen tonë, por jo vetëm. Dhimbjen për djalin tim e kam parë në sytë e gjithë prindërve që në sytë e mi kanë parë veten e tyre, sesi një fëmije të pafajshëm i merret jeta pa të drejtë. Dhimbjen për Erjonin e kam parë në sytë e të rinjve që e kuptojnë sesa e pasigurt dhe e pa vlerë është jeta në Shqipëri. Fatkeqësia e djalit tim ishte se kushërinjtë e tij janë me precedentë penalë.
Ky fakt i dha të drejtën dorës kriminale që t’ia marrë pa mëshirë jetën djalit tim. Ky fakt i dha të drejtë portaleve që ta godasin për herë të dytë Erjonin, duke cenuar dinjitetin e tij me informacione të pavërteta dhe duke trazuar shpirtrat e familjarëve sërish.
Erjon Xhenje ka qenë student i degës fizioterapi. Ka qenë një i ri me angazhime në jetën personale dhe shoqërore. Erjoni është edukuar me vlera dhe i ka manifestuar në familje dhe në rrethin e tij të pastër shoqëror.
Kërkoj nga shteti drejtësi për djalin tim. Kërkoj gjithashtu që familja ime të merret në mbrojtje pasi ndihemi të pambrojtur. Erjoni ka qenë një djalë besimtar. Jam e sigurt që ai është lule në xhenet. Allahu e pastë në mbrojtje pasi në këtë jetë ka padrejtësi.
I riu u vra në datën 18 shtator, nga një person që erdhi në lokalin ku ai po kalonte mbrëmjen dhe që sipas hetimeve rezulton të jetë 24-vjeçari Bajram Cekorja.
Historiku i ngjarjeve kriminale zgjerohet më tej, pasi autori i vrasjes së 19-vjeçarit, është djali i Ismet Cekorjes, që pak javë u ekzekutua në lagjen “Guerrile” të Shkodrës.
Në polici u thirr për të dëshmuar edhe Alban Bruçi ndaj të cilit u bë një atentat më 25 gusht dhe si autor është shpallur në kërkim djali i viktims, Besnik Çekorja së bashku me Tornado Fushën.
Bajram Çekorja ka precendentë të mëparshëm penale dhe rezulton i arrestuar në 2016 për tenativë vrasje si dhe në 2019 si pjesë e një grupi kriminal.
4 ditë para vrasjes Ismet Çekorja, doli në një deklaratë për mediat ku i doli në mbrojtje të birit duke thënë se nuk kishte lidhje me atentatin ndaj Alban Bruçit të ndodhur në 25 gusht. Sipas tij familja Çekorja po sulmohej nga një grup banditësh të lidhur me njerëz me pushtet.
Top Channel