Motra e të resë britanike që u mbyt gjatë zhytjes me të fejuarin e saj gjatë pushimeve në Shqipëri foli sot për dhimbjen me mediat vendase.
Në një intervistë me rrjetin Daily Mail, Sam, motra e 29 vjeçares Rebecca Gannon nga Staffordshire në veri të Britanisë, tha se ende nuk mund të besojë humbjen e motrës së vogël.
Ajo ishte duke punuar me nënën e saj Gillian në kuzhinën e biznesit të bukëpjekjes në qytezën e Stone kur autoritetet i sollën lajmin e keq.
Dy gratë janë ende të tronditura për të bërë homazhet.
Rebecca vdiq kur u gjend në vështirësi gjatë zhytjes në Sarandë, me të dashurin e saj të katër viteve Robert Kerans.
Në një deklaratë të marrë nga MailOnline, Robert, i cili ashtu si e dashura e tij ka një çertifikatë PADI si zhytës profesionist, tha: “Rebecca dhe unë erdhën në qytet dhe plotësuam formularin”.
“Ishim një grup prej 12 vetësh dhe do të kishim 3 instruktorë zhytjeje. Një prej tyre fliste mirë anglisht dhe tani e mësova se është Gerta Brozi.
“Ajo kontrollonte pajisjet por nuk i jepte shumë vëmendje. Unë e di se kishte një problem me rregullatorin e bombules se Rebecca-s dhe Gerta nuk e zgjidhi”.
Robert, i cili është me origjinë nga Norvegjia por jeton në Staffordshire me Rebecca, është njohur me të duke punuar dhe udhëtuar në Zelandën e Re.
Robert shtonte: “Ne hymë në ujë por nuk e di nëse problemi ishte zgjidhur. Kishim zbritur në thellësi kur edhe një tjetër nga grupi që kishte problem me presionin e bombulës, doli në sipërfaqe”.
“Kur isha në ujë nuk e shihja dot Rebecca-n pasi shikueshmëria nuk ishte e mirë. Kisha rreth 25 minuta në ujë kur dola dhe pashë barkën e policisë afër nesh dhe kuptova se diçka e keqe kishte ndodhur”.
Dëshmitare të tjerë përshkruanin sesi instruktori Kushova ishte hedhur shpejt në ujë duke u përpjekur të ndihmonte Rebecca së bashku me anëtarë të tjerë të grupit dhe më pas nisën t’i bënin frymëmarrje artificiale teksa Robert i tmerruar vetëm shikonte.
Në pamjet e postuara në mediat shqitpare shihet trupi i të ndjerës që transportohej me nxitim nga barka drejt ambulancës në brigjet e Sarandës.
Dje instruktorja shqiptare Greta, e cila është bashkëpronare e grupit të zhytjeve ‘Spiranca Diving’, tha për mediat: “Ne nuk e dimë çfarë ndodhi dhe po presim që policia të përfundojë hetimet”.
“E reja britanike ishte me të dashurin dhe të dy kanë çertifikatë zhytjeje PADI, pra ishin të kualifikuar për të ardhur me ne”.
“Ajo kishte dhjetë minuta në ujë dhe më pas pësoi vështirësi. Kishte pasur më parë probleme me rregullatorin por ai ishte ndryshuar dhe punonte në rregull”.
“Por më pas ne pamë vetëm Saimirin që e pikasi në telashe dhe u përpoq ta ndihmonte”.
“Saimiri bëri gjithçka mundi dhe barka u kthye në breg ku mjekët ishin duke pritur”.
“Ishte një eksperiencë traumatike dhe i dashuri i saj ishte shumë i tronditur, siç ishim të gjithë ne në barkë. Nuk e dimë çfarë ndodhi”.
“Rrënoja e anijes nuk ishte shumë e thellë, vetëm 7-8 metra pra jo nga më të thellat. Po presim rezultatet e autopsisë, Saimiri është në polici”.
E kontaktuar të mërkurën nga mediat Gerta tha për MailOnline se nuk kishte kohë të fliste dhe mbylli telefonin, shkruan Daily Mail.
Grupi po zhyteshin për të parë rrënojën e një anijeje të vjetër italiane të fundosur gjatë Luftës II Botërore në Gjirin e Sarandës.
Top Channel