Mashtruesi i Hollywood imitonte burra e gra të fuqishëm të industrisë për të zhvatur miliona duke ofruar role inekzistente (fotot)

21/09/2022 19:03

Një mashtrues profesionist që imitonte figura të njohura të industrisë së filmit në Hollywood ka zhvatur më shumë se 1 milionë dollarë nga 300 viktima duke u ofruar vende pune inekzistente në industrinë e filmit.

42 vjeçari Hargobind Tahilramani, – i njohur ndryshe si ‘mbretëresha e mashtrimit në Hollywood’ – hiqej se ishte ekzekutiv i filmit si regjizori Christopher Nolan apo producentja milionere Megan Ellison, gjatë fushatës shtatë vjeçare të zhvatjes.

Ai është hequr si Megan Ellison, nëna e saj Barbara Boothe, dhe drejtoresha Amy Pascal në komunikimet me telefon, email dhe mesazhe teksti.

Në një rast duke imituar miliarderen Jean Pritzker, Tahilramani kishte ofruar favore seksuale një prej viktimave, u tha në gjykatën e Westminster.

Sipas skemës së tij profesionistë nga SHBA si aktorë, skenaristë e fotografë udhëzoheshin të udhëtonin drejt Indonezisë me shpenzimet e tyre për projekte inekzistente pune, para se t’u kërkoheshin shuma të mëdha parash, që nuk iu kthyen kurrë.

Tahilramani hiqej si producentja milionere Megan Ellison dhe nena e saj Barbara Boothe

Mes të mashtruarve të tij ishte producentja e serialit Star Wars, Kathleen Kennedy, ish-producentja e Sony, Amy Pascal, dhe ish-shefja e grupit ex-Paramount, Sherry Lansing, thuhet në dokumentet e gjyqit, sipas Daily Mail.

Tahilramani akuzohet se fliste në tone të larta të zërit për të imituar ish-gruan e botuesit miliarder Rupert Murdoch, Wendi Deng për të joshur krijuesit në skemën e tij të mashtrimit.

Ai u arrestua më në fund pas një hetimi më shumë se 1 vjeçar nga FBI në fund të vitit 2020 në një hotel në Manchester, ku pretendonte se ishte një ‘shkrimtar i rrjetit Netflix’.

Kur ishte pyetur nëse i kuptonte akuzat, Tahilramani, i cili jetonte në Britani prej vitit 2016, u përgjigj: ‘Ah po, për mashtrimin,’ u tha në gjykatë.

Ai po kundërshton tashmë ligjerisht estradimin drejt SHBA ku përballet me tetë akuza mashtrimi bankar që marrin secila një dënim maksimal prej 20 vjet burg, si dhe vjedhje identiteti që merr një dënim prej dy vjetësh.

Prokurori amerikan Joel Smith, tha sot se Tahilramani ishte një mjeshtër i konspiracionit të zhvatjes duke manipuluar më shumë se 300 në një shumë prej më shumë se $1 milionë prej vitit 2013 deri në gusht 2020.

Viktimat nga SHBA josheshin të udhëtonin drejt Indonezisë dhe pasi arrinin aty nxiteshin të paguanin një seri pagasash përsëri nga xhepat e tyre, për të cilat mashtruesi u thoshte se do të rimbursoheshin në SHBA.

Ai vijonte kontaktet me viktimat me telefon, mesazhe teksti, ndërsa bashkëpunëtorët e tij hiqeshin si shoferë, operatorë turistikë, mbledhës parash e të tjera si këto.

Në një nga rastet skenaristi nga New York, Gregory Mandarano ishte nxitur të dorëzonte skenarin e shkruar prej tij, i cili “u pranua” nga grupi filmik i trilluar ‘TheChinaFilmGroup.com’.

I akuzuari u paraqit me një identitet të rremë dhe bindi Mandarano dhe bashkëpunëtorin e tij shkrimtar të udhëtonin drejt Malajzisë me shpenzimet e tyre.

“Kur Mandarano ishte atje, iu caktua një shofer personal me çmimin $900 në ditë, rreth dhjetë herë më shtrenjt sesa kosto mesatare në Indonezi.’

“Më pas Mandarano dhe bashkëpunëtori i tij bënë një takim në Xhakarta me të akuzuarin, i cili pretendonte se ishte ‘Anand Sippy’, zv-President i kompanisë China Film Group.”

“Aty i akuzuari i tha Mandarano se duhet të shkruante përsëri skenarin e tij”.

“Gjatë tre muajve të ardhshëm Mandarano dhe bashkëpunëtori i tij udhëtuan tre herë drejt Indonezisë, në udhëtime që zgjasnin secili disa javë”.

“Në fund të të gjithë mashtrimit Mandarano kishte shpenzuar $80,000, $40,000 në para të thata”.

Prokurori tha se një tjetër viktimë, Casey Grey i cili punonte në fushën e sigurisë, u gënjye nga Tahilramani që hiqej si producentja miliardere e filmave Pritzker, duke i ofruar një punë me rrogë $5,000-në ditë për ruajtjen e shesh-xhirimeve në Indonezi.

“[Casey] Grey u njoftua për një mundësi të punonte me Jean Pritzker, por kjo ishte inekzistente. I akuzuari i shkroi atij një email duke pretenduar se ishte zonja Pritzker e cila i ofronte vendin e punës, madje dhe favore seksuale për ta bindur të binte në kurth”.

Gjyqi i ekstradimit vazhdon.

FOTO GALERI
1/3
Një mashtrues profesionist që imitonte figura të njohura të industrisë së filmit në Hollywood ka zhvatur më shumë se 1 milionë dollarë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA