Pesë vatra zjarri kanë shkrumbuar hektarë të tëra me ekualips e pisha dhjetëra vjeçare në Godullen e Semanit pranë grykëderdhjes së lumit Seman.
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme flakët janë parë në pyllin me pisha dhjetëra vjeçare por të favorizuara dhe nga era e fortë janë përhapur me shpejtësi dhe kjo edhe për shkak të mungesës së reshjeve.
Zjarrfikësit dhe banorët luftuan përgjatë gjithë natës me flakët me mjete rrethanore pasi mjetet zjarrfikëse e kanë patur të vështirë ndërhyrjen për shkak të terrenit të vështirë. Për shkak të erës nga jugperëndimi në drejtim të veriut flakët nuk kanë mundur t’i afrohen stacionit të pompimit të gazit të kompanisë TAP.
Ndërkohë që për shkak të errësirës drita e lëshuar nga flakët e larta është parë nga qytetarët fierakë edhe pse 20 km larg. Drejtori i Emergjencave Civile, Maksim Zarka ka pohuar se zjarri është drejt fikjes teksa ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me mbi 10 ha pyll me pisha , ekualips dhe shkurre.
Top Channel