Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky më anë të një interviste në zyrën presidenciale, ka akuzuar Rusinë për krime lufte e për tortura në verilindje të Ukrainës dhe i krahasoi pasojat në zonat e çliruara me tërheqjen e Rusisë nga afër Kievit muaj më parë.
Ai tha për Reuters se shumë ukrainas u varrosën në vende në verilindje, duke përfshirë familje të tëra dhe njerëz që u torturuan.
“Deri sot janë 450 të vdekur, të varrosur. Por ka të tjerë, varrime të veçanta të shumë njerëzve. Njerëz të torturuar. Familje të tëra në territore të caktuara”, tha ai.
I pyetur nëse ka prova të krimeve të luftës, ai tha: “E gjithë kjo është atje. Komisione hetimore me partnerë ndërkombëtarë, komisione të përbashkëta hetimore”, tha ai.
“Ka disa prova dhe po bëhen vlerësime, ato ukrainase dhe ndërkombëtare, dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne, që bota ta njohë këtë”, tha ai.
Kremlini nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi akuzat e Zelenskyt.
Rusia rregullisht mohon të ketë shënjestruar civilët gjatë asaj që e quan “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë dhe ka thënë në të kaluarën se akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut janë një fushatë shpifjeje.
Guvernatori i rajonit të Kharkiv, Oleh Synhubov, tha të premten në një nga vendet e varrimit në qytetin e Izium se disa trupa të zhvarrosur atje ishin gjetur me duar të lidhura pas shpine.
Moska nuk ka komentuar për zonën e varrimit masiv në Izium, që ishte një bastion i vijës së parë ruse përpara se kundërofensiva e Ukrainës të detyronte forcat e saj të iknin.
Top Channel