Moti i keq ka gjunjëzuar rajonin Marche në Itali, ku bilanci i furisë së tij është tragjik: 11 të vdekur, 4 të zhdukur, 50 të shtruar në spital u regjistruan pas përmbytjeve apokaliptike në zonë.
Në mesin e të zhdukurve janë dhe dy fëmijë, njëri nga të cilët ka qenë në krahët e së ëmës. Vërshimi i ujit i ka marrë të dy me vete. Gruaja u arrit të shpëtohej më vonë, por i mituri nuk gjendet.
Cantiano, një qytezë me pak më shumë se 2 mijë banorë në provincën e Pesaros dhe Urbinos, është izoluar krejtësisht, reshjet e dendura të shiut kanë bërë që rrugët atje të shndërrohen në lumenj të vërtetë duke tërhequr zvarrë makinat.
Dhjetëra persona e kërkuan shpëtimin në çatitë e banesave, apo duke u ngjitur nëpër pemë, nga ku u larguan me pas prej skuadrave te zjarrfikësve.
Në provincën e Anconës, sipas kreut të emergjencave pranë departamentit të mbrojtjes civile Luigi d’Angelo, ranë “400 mm shi brenda vetëm dy ose tre orësh, apo gati sa gjysma e shiut që bie për një vit në rajon”.
Reshjet kanë qenë jashtëzakonisht intensive, tha ai, dhe të gjithë njerëzit tanë aktualisht të angazhuar në terren. D`Angelo hedh idenë se ndoshta i nxehti i këtyre ditëve, i përplasur me një front të menjëhershëm ajri të ftohtë, mund të jetë shkaku i fenomeneve të tilla të dhunshme.
Disa zona si qendra historike, Bettolelle janë pushtuar nga balta. Shkollat në pjesët më të goditura të rajonit janë mbyllur, ndërsa për situatën e rënduar u njoftuan edhe presidenti Italian Sergio Mattarella dhe kryeministri, Mario Draghi.
Top Channel