Pas takimeve në KQZ, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim vijoi axhendën e takimeve politike në Kryesinë e Kuvendit.
Në takime të ndara, znj.Kim bisedoi sot me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, si edhe kreun zyrtar të grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj.
Në përfundim të takimeve ambasadorja amerikane nuk preferoi të japë asnjë koment për mediat lidhur me atë c’ka u diskutua me krerët e dy grupeve parlamentare.
Influenca ruse në veprimtarinë e partive politike, reforma e re territoriale apo edhe amendimet në ligjin për reformën në drejtësi, mendohet të kenë qenë të fokus të bisedës së zhvilluar sot mes ambasadores amerikane dhe krerëve të grupeve parlamentare.
Takimi në kryesinë e kuvendit vjen një ditë pas takimeve që ambasadorja amerikane zhvilloi me kreun e KQZ-së Ilirjan Celibashi e më pas edhe me praninë e përfaqësuesve të partive politike parlamentare, ku shprehu shqetësimin e SHBA për influencën ruse në veprimtarinë e partive politike në Shqipëri.
“Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion.” -ishte komenti i ambasadës amerikane, që pasoi takimet në KQZ.
Top Channel