Ish-kryeministri, njëkohësisht dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano feston sot 70-vjetorin e lindjes.
Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kanë uruar në rrjete sociale liderin e parë të PS-së Fatos Nano.
Rrugëtimi politik i Fatos Nanos
Fatos Nano lindi më 19 shtator 1952 në Tiranë.
Ai ishte lideri dhe themeluesi i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1991 deri në 1993 dhe 1997 deri në 2009.
Ai filloi karrierën e tij politike në vitin 1991 pasi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizonte zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, në po atë vit dhe të përgatise vendin për tranzicionin drejt një ekonomie tregu dhe sistemi demokratik.
Zgjedhjet në 31 Mars 1991 u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ai u caktua përsëri Kryeministër.
Pas dy muajsh ai u detyrua të jepte dorëheqje. Atë vit ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste e cila ishte pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë.
Në Mars 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit me pas Fatos Nano u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata.
Burgosja e tij u bë problemi kryesor i Shqipërisë post komuniste, sepse shumë socialistë besonin se kjo burgosje ishte shkas i opozicionit të Nanos ndaj qeverisë së Berishës.
Gjatë vitit 1994 skemat piramidale po bëheshin të njohura në Shqipëri dhe rënia e tyre në vitin 1997 shkaktoi një revoltë të armatosur të nxitur nga opozita kundër qeverisë me kërkesën për kthimin e parave të humbura në firmat piramidale.
Kjo revoltë çoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga presidenti Berisha. Nano u lirua nga burgu pas një amnistie të dhënë nga presidenti Berisha.
Zgjedhjet të cilat u zhvilluan në kushte jo normale u fituan nga Partia Socialiste. Presidenti Berisha dha dorëheqjen dhe kuvendi i ri zgjodhi president Rexhep Mejdanin.
Presidenti Mejdani emëroi kryeministër Fatos Nanon.Në shator të vitit 1998 forcat e policisë së Tropojës vranë në një atentat udhëheqësin e lëvizjes studentore antikomuniste Azem Hajdari. Kjo çoi në një revoltë popullore dhe meqënëse u krye nga një segment i shtetit, e detyroi Fatos Nanon të jepte dorëheqjen.
Fatos Nano u gjykua i pafajshëm nga një Gjykatë në Tiranë ndaj akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion në vitin 1999.
Partia Socialiste vazhdoi qeverisjen e vendit dhe fitoi zgjedhjet ne qershor 2001. Nano u bë Kryeministër për të tretën herë në korrik, 2002 i emëruar nga presidenti Alfred Moisiu.
Në 3 korrik 2005 Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe shumicën në parlament. Partia Demokratike fitoi shumicën dhe kryetari i saj Sali Berisha u emërua Kryeministër i qeverisë së re. Më 1 shtator 2005 Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste.
Nano kërkoi të zgjidhej si president në 8 korrik 2007 mbas mbarimit të mandatit të presidentit Moisiu, por nuk pati mbështetjen e Ramës.
Shumica e deputetëve të opozitës të drejtuar nga Partia Socialiste nuk e përkrahën kandidaturën e tij dhe bojkotuan zgjedhjet. Nano mori vetëm 3 vota ndërsa Bamir Topi, kandidati i Partisë Demokratike fitoi 75 vota. Megjithatë Topi nuk fitoi votat e nevojshme për t’u zgjedhur president. Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit u mbajt më 10 korrik. Parlamenti përsëri nuk arriti të zgjidhte presidentin, me Nanon që mori 5 vota dhe Topi 74 vota. Në raundin e tretë më 20 korrik Topi u zgjodh president.
Si deputet i parlamentit Shqiptar, Nano ka shërbyer zonën e Kuçovës, Tepelenës dhe Sarandës.
Mbaroi gjimnazin Sami Frashëri në Tiranë. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës (Fakulteti i Ekonomisë). Në vitin 1975 kreu specializimet për Ekonomi Politike.
Në vitin 1983 me vendimin nr.81, 23 shtator 1983 të Universitetit të Tiranës merr titullin “Doktor i Shkencave” ne fushën e ekonomisë, ndërsa në vitin 2000 titullin “Profesor Doktor” në fushën e ekonomisë.
Nga Universiteti Ndërkombëtar i Milanos (Itali) në vitin 2000 dekorohet me titullin “Doktor Honoris Causa” – në fushën e Ekonomisë dhe Teknikës së Komunikimit dhe po në këtë vit merr titullin e nderit “Doktor Honoris Causa” – në fushën e shkencave ekonomike, nga Universiteti i Barit (Itali).
Top Channel