Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë fajtor Lulzim Bashën si fajtorin e vetëm të bashkëpunimit me rusët, të cilët e financuan PD-në gjatë zgjedhjeve.
Ai rrëfeu bisedën me Bashën, kur ambasadori i atëhershëm Dobnald Lu i dërgoi dosjen në zyrë me artikullin e Mother Jones, ndërsa ish-kryetari i PD-së e kishte mohuar.
“Lidhur me aferën Basha, deklaroj sa vijon: Në vitin 2018, ambasadori Lu më solli një dosje me shkrimin e portalit Mother Jones. Në dosje, përveç artikullit të revistës dhe një flete se Nick Muzin ishte i regjistruar si lobist i Bashës, nk kishte asnjë dokument tjetër.
Lulzim Basha, i pyetur nga unë, më deklaroi se paratë e paguara për Nick Muzin, janë para të mbledhura në përputhje me rregullat në diasporën shqiptare në SHBA dhe se artikulli nuk ka asgjë të vërtetë.
Midis artikullit të gazetës dhe shpjegimit të Bashës, unë kam besuar variantin e këtij të fundit. Më vonë jam vënë në dijeni tëfaktit se Basha mbahej peng me dosjen Muzin, dhe se çështja ndaj tij u mbyll në gjykatë me ndërhyrje të Agaçit, ku prokurori duke shkelur ligjin, nuk bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, në kundërshtim flagrant me ligjin. Këtë e kam denoncuar si akt nga foltorja në foltore.
Më vonë jam informuar se Basha kishte mashtruar dhe nuk kishte bërë mbledhje fondesh në diasporë.
Pas këtyre informacioneve, burimi i parave mund të ishte rus, siç thoshte revista.
Bazuar në këto informacione, më 4 prill të vitit 2022, kam denoncuar para jush financimin rus të Lulzim Bashës dhe mbylljen e dosjes nga Edi Rama.
Rikthimi i kësaj çështje, provon atë që kam denoncuar disa herë, provon se Basha është mbajtur peng me këtë dosje dhe duhet të japë përgjigje për origjinën e këtyre parave.
Nga informacionet paraprake që kam, nga fondet që Biniatta ka dorëzuar te Nick Muzin, nuk kanë kaluar asnjë prej tyre nga arka e PD-së dhe fondet e PD-së.
Për këtë arsye, përgjegjësia nuk është e PD, por është individuale e Lulzim Bashës dhe atyre që janë përfshirë në këto sanksione. Duke u distancuar nga kjo aferë kryekëput e ish-kryetarit të PD, dhe duke u zotuar se do të ngrejë një komision auditi për të bërë transparencën e plotë, kërkojmë hapjen e një hetimi të plotë për të larguar çdo dyshim që lidh PD-në me dosjen ruse”, tha Berisha.
“Vladimir Putini dhe Rusia janë rrezik madhor për paqen dhe stabilitetin në Europë. Në kuadër të debateve të shpërthyera ditët e fundit, PD deklaron sa vijon: PD si parti e interesit kombëtar të shqiptarëve është forca e parë që ka kërkuar anëtarësimin në NATO. E ka bërë këtë, në një kohë kur të tjerët nuk kanë arritur ta bëjnë. PD në qeveri, është ndër vendet më të para që ka firmosur partneritetin për paqen me NATO-n, në kundërshtim me interesat strategjike të Rusisë. PD është forca që ka vendosur vendin në dispozicion për manovrat e NATO-s dhe SHBA. Në det, ajër dhe tokë. Ndërkohë që PS sillte rezoluta në parlament kundër bashkëpunimit dhe anëtarësimit në NATO. PD në qeveri është forca që kundër interesave strategjike ruse, anëtarësoi Shqipërinë në NATO. PD në qeveri, duke kundërshtuar interesat madhore strategjike ruse, dha një kontribut historik me rolin e saj në projektin e gazsjellësit TAP, duke mos u joshur nga asnjë presion. Ajo mbështeti, loboi për TAP, duke parandaluar kështu pushtimit të korridorit të jugut të Europës nga gazi rus. Në organizatat ndërkombëtare, PD në qeveri ka mbështetur çdo rezolutë të SHBA dhe NATO për sigurinë në botë“, tha Berisha.
Disa ditë më parë, një zyrtar i lartë amerikan deklaroi se Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014, mes tyre edhe Shqipërisë.
“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazmë”, tha burimi i qeverisë amerikane.
Ish-kryetari i PD, Lulzim Basha e mohoi këtë duke deklaruar se “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus.”
Top Channel