Vrasësi i Sabrina Bengajt del para gjykatës/ Qytetarët protestojnë: Drejtësi për viktimat, burg të përjetshëm autorit!

15/09/2022 14:40

Me pranga në duar, i shoqëruar nga forca të shumta policie, ka mbërritur në gjykatën e Fierit Elton (Bengaj) Meta, që një vit më parë vrau ish-bashkëshorten e tij.

Pas dy seancave joefektive, trupi gjykues shqyrton këtë 15 shtator ne themel vrasjen e Sabrina Bengajt.

Seanca e parë nuk u zhvillua për shkak të mungesës së paraqitjes së te pandehurit, ndërsa e dyta pas bojkotit të avokatëve. Në gjykatën e Fierit ka mbërritur avokati i familjes së Sabrinës, i shoqëruar nga familjarët e saj, i cili për medien është shprehur se burgimi i përjetshëm është i vetmi dënim për autorin e kësaj ngjarjeje.

Edhe pse kundër dënimit me vdekje, Vishaj është shprehur se të gjitha provat e dënojnë maksimalisht Elton Metën.

“I pandehuri nuk përfiton nga gjykimi i shkurtuar. Të gjitha provat do t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor. Ngjarja është shumë e rëndë. Për dhunë apo vrasje në familje, secili duhet të marrë dënimin më të ashpër, që është burgim i përjetshëm”.

Vrasja e 23-vjeçares ishte një ngjarje e paralajmëruar. Ajo dhe familja e saj ishin marrë peng rreth një vit më parë nga autori i vrasjes, Elton Metaj. Aktualisht ajo ishte me urdhër mbrojtje. Avokati i familjes shprehet se tragjedia mund të parandalohej, ndërsa sugjeron hartimin e një regjistri për dhunuesit.

“Vrasja mund të parandalohej. Unë e kam thënë gjithmonë, mund të ndërtohet një regjistër për të gjithë dhunuesit, ata që bëjnë dhunë fizike e psikologjike në familje apo ata që shfaqin probleme të shëndetit mendor, duhet të mbahen në kontroll të vazhdueshëm nga shteti”.

Sabrina Benga u ekzekutua mbrëmjen e 10 shtatorit në shtëpinë e prindërve të saj, nga ish-bashkëshorti, 31-vjeçari Elton Metaj.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Zhupan, teksa Elton Metaj kishte shkuar në banesën e prindërve të saj dhe qëlloi gjersa ajo po hante darkën.

Autori i krimit, Elton Meta njihej si një person problematik. Një vit më parë, ai kishte marrë peng familjarët e viktimës, ku është dashur ndërhyrja e bluve. Po ashtu ai është gjykuar në vitin 2020 për 3 akuza: armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe pengmarrje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA