“Merr zjarr” çmimi i druve në Greqi/ Grekët i frikësohen situatës energjetike gjatë dimrit

15/09/2022 12:46

Banorë të bashkisë Zografou të Athinës mbushin makinat e tyre me rreth 20 ton dru falas nga pemët e krasitura në një park komunal, si pjesë e një projekti për ta pastruar pyllin me ndihmën e një organizate mjedisore lokale.

Është kjo një ndihmë e vogël për ta në një moment kur familjet e tyre vuajnë pasojat e rritjes së çmimeve të energjisë dhe shqetësohen se si do të ngrohin shtëpitë e tyre gjatë muajve të dimrit.

“Nuk e di, vërtet nuk e di. Ngrohja e vetme që kemi janë këto dru për oxhakun, asgjë tjetër dhe disa ngrohëse elektrike, të cilat do të jenë vërtet të vështira për t’i vënë në prizë këtë vit, sepse nuk kemi mundësi të paguajmë kompaninë e energjisë elektrike”, thotë 52-vjeçarja Paraskevi Galari.

Por ndërsa në Athinë çmimi i druve është rritur me 20-30% që nga fundi i gushtit, në Greqinë e veriut dhe atë Perëndimore në kufijtë me Shqipërinë, rritja është mbi 60% duke shkuar në 130-170 euro për metër kub në varësi të llojit,pasi tregu ukrainas nga siguroheshin është i mbyllur dhe tani rreth 70% e druve të zjarrit vijnë nga tregu vendas dhe 30% nga vendet e Ballkanit.

Gjithashtu mbi 700.000 qytetarë në Greqi që përdorin për ngrohje gazin natyror, shohin një rritje të çmimit të tij në bazë vjetore me 261.3%, ndërsa çmimet e energjisë elektrike janë rritur me 38.5% dhe ato të naftës për ngrohje me 65.1%, sipas institutit të statistikave .

“Nuk e dimë nëse do ta ndezim ngrohjen, sepse edhe nafta për ngrohje ka shkuar në qiell (çmimi), kështu që ky nuk është një opsion. Pra, le të shpresojmë që Zoti të na ndihmojë dhe të mos na japë një dimër të ashpër”, shprehet 80-vjeçari Rizos Stamelos.

Fundjavën e kaluar, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis njoftoi një seri ndihmash dhe rritje të pensioneve dhe pagave, ndërsa u tha grekëve të përgatiteshin për një dimër të vështirë, duke paraqitur një paketë te re me më shumë subvencione për naftën për ngrohje.

Qeveria ka shpenzuar më shumë se tetë miliardë euro në subvencione të faturave të energjisë që nga viti i kaluar për familjet, për t’u përballur me çmimet galopante të energjisë që kanë rritur inflacionin në 11.4%, niveli më i lartë i tij në gati tre dekada.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA