Papa, kritika Kishës Ortodokse ruse: Mos përdorni fenë për të justifikuar luftën

14/09/2022 14:30

Papa Françesku lëshoi një paralajmërim të fortë për liderët fetarë të besimeve të ndryshme se feja nuk mund të përdoret për të justifikuar “ligësinë” e luftës.

Shënjestra e kritikave të tij megjithatë, duket se më shumë ishte Kisha Ortodokse Ruse e cila ka mbështetur presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë pushtimit të të paprovokuar të Ukrainës.

Nga Kongresi i Kongresin e shtatë të Liderëve të Botës dhe Feve Tradicionale në Kazakistan, Ati i Shenjtë bëri thirrje të dënohet ky agresion dhe të mos përdoret feja si justifikim për të.

“Zoti është paqe. Ai gjithmonë na udhëheq në rrugën e paqes, kurrë në atë të luftës. Le të angazhohemi edhe më shumë e të këmbëngulim në nevojën e zgjidhjes së konflikteve jo përmes armëve dhe kërcënimeve, por me të vetmin mjet të bekuar nga qielli dhe të denjë për njeriun: dialogun, takimet, negociatat që sjellin përparim, sidomos kur mbajmë parasysh fëmijët dhe brezat e ardhshëm”, tha Papa.

Në konferencë mungonte Patriarku Kirill, i cili e ka mbështetur Putinin dhe ofensivën ndaj vendit fqinj.

Edhe pse ishte parashikuar pjesëmarrja e tij, kleriku i lartë rus e anuloi atë në momentin e fundit. Në Kongres megjithatë ishte i pranishëm  një delegacion i Kishës Ortodokse Ruse. Përmes këtij të fundit, Kiril dërgoi një mesazh për Kongresin që u lexua për të gjithë, ku paralajmëronte për problemet që po shkaktohen “nga përpjekjet për të ndërtuar një botë pa u mbështetur në vlera morale”.

Papa vetë theksoi se “nëse krijuesi, të cilit ne ia dedikojmë jetën, është autor i jetës njerëzore, si mund ne që e quajmë veten besimtarë, të pranojmë shkatërrimin e asaj jete!”.  Kongresi në Nur-Sultan të Kazakistanit mbledh delegacione të besimeve të ndryshme për të diskutuar rreth rolit të fesë në zhvillimin e njerëzimit në ditët tona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA