Shtyhet për të dytën herë seanca gjyqësore në ngarkim të Arbër Paplekajt, i dyshuar për vrasjen e Pjerin Xhuvani në 21 Prill 2021 në Elbasan.
Në të njëjtën seancë të dërgimit të çështjes në gjyq shqyrtohen edhe dy ish-drejtoret e policisë së Elbasanit, Niko Palla dhe Albert Nushi dhe 6 efektive të forcave “Shqiponja” të akuzuar për shpërdorim detyre.
Seanca është shtyrë pas kërkesës së avokatit të njërit prej efektivëve, i cili nuk është paraqitur në seancë.
Ndërkohë dy ish zv-drejtoret kërkuan ndryshimin e masës se sigurisë. Gjykata la në fuqi të njëjtën masë sigurie, “arrest shtëpie” për Niko Palla dhe Albert Nushi.
Si ndodhi vrasja?
Në 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasje me armë mes dy grupimeve politike mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, në atë kohë eksponent i PS-së, ndërsa mbetën të plagosur 4 persona të tjerë mes të cilëve edhe një punonjëse policie.
Pas ngjarjes, në polici u vetëdorëzua si autor i krimit Arbër Paplekaj, shoqërues i drejtues politik të PD të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhi.
Paplekaj, ish-efektiv i Reneas qarkullonte në Elbasan i armatosur si pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës, strukturë e cila ishte ngritur nga PD në të gjithë vendin.
Top Channel