Një viktimë e trafikut seksual është liruar me kusht në SHBA prej akuzave të vrasjes nga pakujdesia por gjykatësi tha se “nuk ka opsion tjetër” përveç caktimit të dëmshpërblimit.
Adoleshentja fillimisht u akuzua për vrasje në rrethana të rënduara pasi vrau me thikë përdhunuesin dhe trafikuesin e saj në Iowa, SHBA por tashmë duhet t’i paguajë familjes së viktimës $150,000.
17 vjeçarja Pieper Lewis, ka pranuar në qershor 2020 vrasjen e 37-vjeçarit Zachary Brooks.
Ajo ishte 15 vjeçe kur vrau Brooks me 30 goditje thike në një apartament në Des Moines, i cili kishte abuzuar me të pasi e kishte joshur si e pastrehë, e larguar nga abuzimi i nënës së saj adoptuese.
Brooks e kishte përdhunaur atë dhe trafikuar te burra të tjerë për seks, derisa e reja kishte marrë një thikë në kuzhinë dhe e kishte qëlluar për vdekje nga tërbimi.
Policia dhe prokuroria pranonin se Lewis ishte trafikuar dhe sulmuar seksualisht, por ata argumentonin se ajo kishte qëlluar Brooks kur ai ishte në gjumë, dhe në atë moment nuk përbënte rrezik për Lewis.
Iowa është një nga pak shtete të SHBA ku viktimave të trafikut seksual nuk i jepet imunitet i plotë nga krimi.
Lewis, e cila ka mbaruar shkollën e mesme gjatë kohës në burg, thotë se nuk është lejuar të komunikojë me miqtë e familjarët e saj.
“Shpirti im është djegur, por ende ndriçon nga flakët,” lexonte ajo nga një deklaratë që kishte përgatitur në gjykatë. “Dëgjojeni ulërimën time, shikomëni të ndriçoj e më pas të rritem. Unë kam mbijetuar”, shtonte ajo në vargjet e rimuara në anglisht.
Por prokurorët thanë se Lewis duhet të pranonte përgjegjësinë për vrasjen e Brooks dhe se “kishte lënë femijët e tij pa baba.”
Karl Schilling i grupit të mbrojtjes së viktimave të Iowa, tha se shteti ka nevojë për legjislacion të mbrojtjes së viktimave të trafikimit seksual te cilat aktualisht janë tepër të lirshme për të siguruar mbrojtjen e nevojshme.
Ligji në Iowa mbron vrasësin vetëm nëse ka qenë nën kërcënimin ‘e menjëhershëm’ të plagosjes nga viktima.
Top Channel