Në 100 shkolla në gjithë Shqipërinë, nxënësit që në klasë të parë do të mësojnë për teknologjinë e informacionit dhe komunikimin.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi, thotë tregon për Top Channel se pas abetares mbarëkombëtare, do të nisë puna edhe për unifikimin e lëndës së gjuhës shqipe dhe të historisë.
Gazetarja Kristi Gongo: Zonja ministre, me nisjen e vitit të ri shkollor, cilat janë prioritetet e Ministrisë së Arsimit?
Ministrja e arsimit Evis Kushi: Normalisht që jemi përqendruar te kurrikulat mësimore, te programet dhe stafet pedagogjike. Një nga risitë e këtij viti është përfshirja e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit që në klasën e parë. Po pilotojmë fillimisht me 100 shkolla në të gjithë Shqipërinë, ku do të kemi përveç kurrikulës së re të përshtatur me moshën e fëmijëve për informatikën, gjithashtu kemi investuar edhe për 100 laboratorë smart lab. Nga ana tjetër një nismë e re është edhe abetarja e përbashkët në shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës.
Gazetarja Kristi Gongo: Po pse lindi nevoja për një ndryshim të abetares, teksa ka patur një përpjekje për unifikim edhe në 2012?
Ministrja e arsimit Evis Kushi: Është e ardhur në një kontekst të ri, përmbajtja digjitale ndër të tjera. Jetojmë në një botë që ndryshon vrullshëm, edhe metodat e mësimdhënies kanë ndryshuar. Me vendim të këshillit të ministrave, abetarja është përjashtuar nga procedura e përzgjedhjes së teksteve në shkolla sepse për lëndët e tjera ka deri në 3 alternativa që një prej tyre zgjidhet nga një grup mësuesish. Ndërkohë ky vit i parë do të jetë viti i provës për abetaren, presim edhe komentet e mësuesve e më pas do të reflektohen…
Gazetarja Kristi Gongo: Kjo nismë për unifikimin e tekstit të abetares, do të përfshijë dhe tekste të tjera?
Ministrja e arsimit Evis Kushi: Ne jemi shumë të hapur që pse jo edhe për tekste të tjera që kanë jo thjesht aspekte arsimore, por edhe aspekt patriotik. Mund të jetë gjuha shqipe, historia… por do ia lëmë kohës…
Top Channel