Deputetja e PD, Dhurata Çupi i është përgjigjur deklaratës së kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili tha se i qëndron hartës aktuale me ndarjen 61 bashki dhe 12 qarqe
Në një reagim në rrjetet sociale , Çupi shkruan se kjo është një tallje me qytetarët që duan ndryshimin e hartës dhe me partnerët që u angazhuan në këtë proces.
“Është tallje me qytetarët që duan ndryshim të hartës. Është tallje me partnerët që u angazhuan në proces. Është tallje me parlamentin. Është shpërdorim i taksave të qytetarëve, për një proces të paracaktuar nga vullneti i Edi Ramës.
Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vërtetë elektorale dhe kërkon rezultat ne tavoline. Kështu ka bërë në çdo zgjedhje. Kur ndryshoi hartën territoriale në 2015, kur ndryshoi në mënyrë të njëanshme sistemin zgjedhor.
Edi Rama ka frikë nga vota. Përgjigja e qytetarëve do të jetë referendumi. Ne do të kërkojmë referendum për ndryshimin e hartës territoriale. Askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e zgjedhësve, as Edi Rama”- ishte ky reagimi i deputetes Dhurata Çupi.
Pak më parë, teksa doli nga mbledhja e Kryesisë, Taulant Balla tha se grupi i PS arriti në përfundimin se i qëndron hartës aktuale me ndarjet 61 bashki dhe 12 qarqe.
Grupimi i Alibeajt në draftin e tyre të reformës territoriale, propozuan hartë të re me 92 bashki dhe 6 rajone.
Nga 12 qarqe Grupi Parlamentar i PD propozon rigrupimin në 6 Rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë.
Top Channel