U dërguan si diplomatë, por u larguan si të padëshiruar nga vendi ynë pas vendimit të qeverisë shqiptare për ndërprerje të menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

Dalja e kësaj makine “Audi” dhe një tjetre tip, “Benc” paraditen e të enjtes shënoi fundin e zbrazjes të godinës nga iranianët që kishin shërbyer jo vetëm me qëllime diplomatike. Pak minuta më pas një grup punonjësish shqiptarë u larguan duke i dhënë fund të punësuarit për llogari të shtetit të Iranit.

Largimi diplomatëve iranian ia la vendin marrjes nën kontroll të godinës që shërbeu si ambasadë nga forcat xheniere të RENE-as. Në kontroll u përdorën edhe qentë anti eksploziv. Gjatë dy orëve kontroll nga godina vinin zhurma të forta nga hapja me forcë përmes goditjeve me varre të dyerve të blinduara.

Kur u siguruan nuk kishte asgjë që cënonte sigurinë, ishte radha e veprimeve të oficerëve të policisë shkencore. Nuk ka asnjë njoftim zyrtar, se çfarë kishin lënë pas diplomatët e larguar të cilët i përdorën orën e mbetura në vendin tonë duke djegur dokumentet.

Autoritetet shqiptare pavarësisht interesit të lartë të medias vendase dhe të huaj nuk dhanë asnjë detaj për numrin e diplomatëve të dëbuar apo se nga cilat pika kufitare e lanë territorin e vendit tonë. Në pamje të parë mbase detaje pa rëndësi për zyrtarët shqiptarë por padiskutim me interes për publikun.

Jo zyrtarisht mësohet se pjesa më e madhe e diplomatëve të dëbuar u larguan përmes pikës kufitare të Qafë Thanës drejt Maqedonisë së Veriut. Ajo që ndodhi me këtë vilë në rrugën Mustafa Matohiti mund të quhet si mallkim i dytë për bujtësit e saj iranian pas atij me Kadri Hazbiun i cili banonte në vilë, por doli nga aty me pranga në duar.

Shteti Iranit nuk ka bërë asnjë koment për vendimin e qeverisë shqiptare për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike apo të pranojë e mohojë autorësinë e sulmit kibenetik. E vetmja shenjë simbolike mbetur e prezencës të Iranit në vendin tonë edhe për pak orë është flamuri që valëvitet të cilin diplomatët e larguar nuk e hoqën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA