Paketa e dytë e rezistencës sociale hasi në rezistencën e opozitës në Parlament.
Kryeministri Edi Rama u shfaq në seancë plenare vetëm për të mbrojtur dhe shpjeguar skemën e çmimit të energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla, por u përball shpejt me kundërshtinë e fortë të demokratëve.
Helidon Bushati: Je 50 vite me vonesë, trego kush preket nga fasha.
Edi Rama: Çfarë ke që ulërin mo? Pse ulërin? Çfarë janë këto ulërima? O zotëri, injoranca nuk është argument, nuk ka qenë kurrë. Injoranca ju ka katandisur këtu ku jeni. Çdo subjekt që konsumon energji mbi 800 KWh/orë do e paguajë çdo kilovat me çmimin e tregut. Diferencën mes 9.5 dhe 42 lekë, sot e mbulon qeveria por nuk kanë për të paguar pishina, dekore me drita në oborre të gjera apo ngrohje të vilave me kondicioner e dritare hapur kështu që me llogari shohim që ky 4% konsumon 15% të totalit. Ka shumë humor në Shqipëri se si do kemi kursejmë. Nuk kemi masa si Gjermania apo Zvicra por do kërkojmë të kursehet energji elektrike. Kjo është pjesë e së tërës.
Kryeministri la sallën dhe preferoi të mos të dëgjojë replikën e demokrates Jorida Tabaku, e cila e kritikoi për mungesën e shifrave dhe ndihmës reale për shtresat ne nevoje.
Jorida Tabaku: Pse nuk diskutojmë sot për një paketë si të gjitha vendet e tjera. Gjermania ka bërë paketë mbështetëse 65 miliardë. Vende të tjera kanë vendosur çmim tavan për energjinë. A e dëgjuat të flasë për klubin e oligarkëve? Nuk ka paketë por është ndryshim normal buxheti. E gjitha është 50 mln euro. Vetë e pranoi që ‘nuk ka paketë’. Nuk përfiton në mënyrë të qëndrueshme asnjë grup! A e dini se sa bëhet fjalë për rritjen e pensioneve në një muaj 500 lek.
Edhe për Erion Braçen rritja e pensioneve është e pamjaftueshme edhe pse kishte zbutur tonet, kritika e socialistit nuk mungoi.
Erion Braçe: Paketa mbështetëse e propozuar sot në aspektin e rrogave është për t’u vlerësuar, por në aspektin e pensioneve që prekin një masë të madhe njerëzish për mua në gjykimin tim është e pamjaftueshme sa i takon bujqve 34 mijë aplikantë që do të paguhen nga fondi i naftës kur janë 48 mijë të tillë s’do e ndihmojnë dot plugimin, mbjelljet dhe as prodhimet pranverës dhe verës. Ajo që duan bujqit tani janë paratë një për një për 48 mijë aplikantë për naftën.
Paketa antikrizë u mbrojt me radhë nga të gjithë ministrat e sektorit, ndërsa bëri që demokratët të hedhin pas krahëve për pak orë krizën e brendshme për të unifikuar qëndrimin kundër qeverisë.
Top Channel