Ish-kryeministri pakistanez, Imran Khan, ka pranuar se i vjen keq për komentet përçmuese për policinë dhe gjyqtarët.
Hetimet ndaj Khanit kanë nisur pasi ai ka akuzuar policinë dhe gjyqësorin se kanë ndaluar dhe torturuar një aleat të tij.
Por, në një deklaratë të dorëzuar në Gjykatën e Lartë të Islamabadit, para paraqitjes së tij më 8 shtator, Khan nuk kërkoi falje të drejtpërdrejtë.
Kjo vjen në kohën kur Khani po mbanë fjalime në të gjithë vendin duke kritikuar qeverinë e kryeministrit, Shehbaz Sharif, dhe duke nxitur zgjedhje të reja, pavarësisht përmbytjeve në rreth një të tretën e vendit.
Khan u bë kryeministër në vitin 2018, por u rrëzua nga pushteti përmes një vote mosbesimi në muajin prill, pasi opozita e ka akuzuar për keqmeanaxhim ekonomik, në kohën e rritjes së inflacionit.
Akuza për terrorizëm, e ngritur më 22 gusht, pasoi një fjalim të tij në Islamabad, gjatë të cilit ai u zotua se do të padiste oficerët e policisë dhe një gjykatës, dhe pretendoi se ata kishin torturuar një bashkëpunëtor të ngushtë, pas arrestimit të tij.
Khan gjithashtu duhet të paraqitet para një gjykate anti-terrorizmi më 9 shtator, kur lirimi me kusht i skadon, në një çështje të veçantë në lidhje me të njëjtat komente për gjyqtarin.
Vërshimet në Pakistan kanë mbuluar me ujë pothuajse një të tretën e këtij shteti, teksa numri i viktimave ka arritur në 1.343. Nga vërshimet janë prekur 33 milionë njerëz nga popullsia prej 220 milionë banorësh./REL
Top Channel