Shqipëra ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin, reagimet e opozitës

07/09/2022 15:27

Vendimi ekstrem i qeverisë shqiptare për të ndërprerë marrëdhëniet me Iranin, vendim që pason sulmin kibernetik ndaj institucioneve qeveritare në vend është komentuar edhe nga opozita.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha se sulmi kibernetik që goditi vendin gjatë verës vuri në provë sigurinë tonë kombëtare.

“Sulmi kibernetik që goditi vendin gjatë verës është një mesazh i qartë dhe tregues i vulnerabilitetit tonë dhe njëkohësisht vuri në provë sigurinë tonë kombëtare.  Miliona dollarë janë shpenzuar nga buxheti për sigurinë kibernetike nga AKSH ndërsa rezultatet lënë për të dëshiruar. A duhet të kishim dikë përgjegjës? Provat e reja të bëra publike duhet t’i raportohen Parlamentit dhe veçanërisht Komisionit të Sigurisë. Për më tej masat duhet të merren nga qeveria për të rritur sigurinë kibernetike, masa serioze jo të ngjashme me prokurimet që sollën këtë situatë. Në epokën e digjitalizimit një vend i #NATO nuk mund të tolerojë në raste të ngjashme që rrezikojnë sigurinë kombëtare.Fatkqësisht sulme të tilla vijnë edhe si pasojë e një kulture të mbrapshtë që partia/shtet ka instaluar.  Shqiptarët janë viktima të daljes së të dhënave personale të rrogave, targave të makinës dhe preferencave politike për interesa elektorale.Papërgjegjshmëri të tilla e lehtësojnë punën e hakerave që jo rrallë kanë dhe ndihmën e një qeverie të papërgjegjshme dhe korrupte. Duke na rrezikuar dyfish sigurinë kombëtare që ka mbetur në duart e patronazhistëve!”, tha Tabaku.

Nga radhët e Partisë së Lirisë, zëvendës kryetari Agim Nesho e quajti të drejtë, por të vonuar vendimin.

“Qeveria shqiptare sot konfirmoi për ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, si rezultat i sulmit kibernetik ndaj vendit tonë kohët e fundit.  Partia e Lirisë, e përkrah këtë masë ekstreme në marrëdhënien diplomatike mes dy vendeve tona, duke e quajtur të drejtë por pak të vonuar ndaj një vendi, që qëllimet e tij ndaj Shqipërisë i ka patur agresive dhe destabilizuese, burim kërcënimi të papranueshëm për sigurinë kombëtare.  Ne mendojmë, që qeveria shqiptare duhet të jetë më e qartë në qëndrimet e saj të politikës së jashtme, në bashkëpunim me aleatët tanë strategjik, BE dhe SHBA, sidomos në kushtet e sotme të cënimit të rendit ndërkombëtar nga fuqi sfiduese si Rusia, Irani, etj., për të mos lejuar shtrirjen e influencave të tyre nëpërmjet projekteve destabilizuese rajonale, qarkullimit pakufizim të shtetasve nga këto vende jo-miqësore, që realizojnë interesa anti-perëndimore. Partia e Lirisë, mendon që ngjarjet e fundit duhet të sjellin reflektim në qeverisje dhe thekson rëndësinë e qartësisë në politikën e jashtme që i duhet Shqipërisë për përshpejtimin e procesit të integrimit europian”, tha Nesho.

Kurse deputeti Enkelejd Alibeaj i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të rrisë masat e sigurisë për të shmangur ngjarje si ajo e rrjedhjes së të dhënave nga E-albania.

“Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së dënoj ashpër sulmin kibernetik të Iranit ndaj Republikës së Shqipërisë. Me këtë rast i bejmë thirrje qeverisë shqiptare të rrisë masat e sigurisë për të shmangur ngjarje si ajo e rrjedhjes së të dhënave nga E-albania, duke e nxitur të bëjë investime serioze për sigurinë kibernetike.  Lidhur me zhvillimet e fundit, gjej rastin të falenderoj partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti SHBA-të për asistencën teknike dhe mbështetjen gjeostrategjike për Shqipërinë në identifikimin dhe në përballjen me sulmin kibernetik të orkestruar nga Irani”, tha Alibeaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA