Në fillim të korrikut të këtij viti, Fiks Fare bëri një vëzhgim në disa nga plazhet më të frekuentuara në Shqipëri, duke filluar nga Velipoja, Durrësi, Golemi apo plazhe në Jug të Shqipërisë.

Pushuesit dhe banorët u ankuan për prani të mushkonjave. Asokohe ishte akorduar një shumë prej 800 mijë eurosh për të spërkatur zonat urbane dhe bregdetare, por procedurat tenderuese ishin zvarritur.

Fiks Fare vijoi të ndjekë këtë shqetësim, teksa gazetarët pyetën sërish në plazhe nëse plazhet u spërkatën apo jo në muajt korrik dhe gusht. Dhe njëzëri përgjigja e pushuesve ishte: Na grinë mushkonjat!

Por, çfarë ndodhi me paratë e akorduara për spërkatje?!

Fiks fare siguroi disa dokumente, që faktojnë se qindra mijëra euro, me të cilat do të bëhej spërkatja kundër insektit bezdisës dhe transmetues të sëmundjeve, ishte destinuar të shkonte për një firmë. Firmat që morën pjesë në këto procedura kanë ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik kriteret e vendosura, ku është zbardhur edhe skema. Të gjitha tenderët ishin destinuar që të fitoheshin nga firma “NRG”.  Sipas dokumenteve që ka siguruar Fiks Fare, Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara ka bërë disa njoftime për anulimin e procedurave të këtyre tenderëve. Bëhet fjalë për të 4 lotet e tenderave të dezisektimit të zonave bregdetare dhe urbane, me një fond total prej 79,238,120 lekësh pa TVSH, ose me TVSH rreth 800 mijë euro.

Në dokumentin e parë, që bën fjalë për “shërbim dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, qarqet Shkodër, Lezhë”, me një fond 14.474.400 lekë është anuluar me arsyetimin se ka pasur ankesa. “Arsyet e anulimit janë në zbatim të vendimeve të KPP-së dhe të komisionit të shqyrtimit të ankesave” thuhet në këto dokumente.

Edhe në dokumentet e anulimit të tenderëve për spërkatjen në qarqet Tiranë, Durrës apo edhe për qarkun Fier, arsyeja ka qenë vendimet e KPP-së. Më saktësisht, Komisioni i Prokurimit Publik ka gjetur shkelje të shumta të bërë në kriteret e këtyre tenderëve, të cilat favorizonin qartë një kompani.

Në të tria dokumentet e mësipërme, arsyet e anulimit janë vendimet e KPP-së me numër 623, 624 dhe 625 të vitit 2022. Fiks Fare shfletoi këto vendime të KPP-së, të cilat kanë faktuar se tenderat ishin të paracaktuar të fitoheshin nga kompania “NRG”.

Në të tria vendimet, KPP shkruan se “… duke mbajtur në konsideratë shkresën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ku citon: ‘Subjekti i cili disponon autorizim për vendosjen në treg për produktet biocide, të cilat kanë në përmbajtje lëndën aktive Bacillus thuringiensis israelensis (Bti), është subjekti “NRG” shpk, KSHA gjykon se autoriteti kontraktor duhet të modifikojë specifikimet teknike të produkteve te përcaktuara në pikën 3, të seksionit 2.3, në Kriteret e Veçanta të Kualifikimit, në dokumentet e tenderit”.

Më tej, KPP shkruan se “autoriteti kontraktor duhet të modifikojë kërkesat e mësipërme me qëllim që të sigurojë artikullin e mësipërm në përputhje me nevojat e tij njëkohësisht duke hapur dhe konkurrencën drejtë operatorëve ekonomik pjesëmarrës”.

Pra, duket mjaft qartë se këto tri procedura që janë anuluar pritet të fitoheshin nga “NRG”, e cila është e vetmja firmë që ka autorizimin për lëndën Bacillus, e vendosur në kriteret e tenderit.

Fiks Fare kontaktoi me përfaqësues të firmës “NRG”, të cilët pohuan se lënda në fjalë i është dhënë me autorizim edhe një firme tjetër. Por, ata nuk preferuan të komentojnë këto vendime, me arsyetimin se “tenderi do të zhvillohet sërish”. Fiksi kontaktoi edhe me përfaqësues të firmave që çuan ankesa në KPP, por asnjëra prej tyre nuk dha një koment, duke qenë se tenderi pritet të rishpallet.

Ndërkohë Fiksi kreu edhe një intervistë me mjekun epidemiolog, Ilir Alimehmeti i cili pohoi se spërkatja ndaj mushkonjave duhet të fillojë në pranverë, atëherë kur temperaturat janë të ulëta dhe mundësia për t’i luftuar është shumë më e madhe. Pohon se muaji ideal është marsi, prilli. Sipas tij, nëse 1 mushkonjë luftohet në këto muaj, atëherë në gusht do të kemi 350-400 mushkonja më pak.  “Mushkonjat janë tepër bezdisëse, ndërsa fatmirësisht nuk kemi pasur ndonjë epidemi, pasi lloje mushkonjash përhapin malarian” shprehet Alimehmeti. Ai thotë se në mungesë të një dezifektimi nga shteti, secili duhet të kujdeset për mjedisin që e rrethon. Sipas tij, mungesa e spërkatjes në muajt kur duhet (marsi, prilli) sjell shtimin e mushkonjave në gusht, por edhe në shtator. Dhe atë që s’e bënë dot shtetarët, po e bën natyra,  pasi me uljen e temperaturave zhduken edhe këto insekte.

FOTO GALERI
9/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA