Edhe ish-kryeministri Sali Berisha u është bashkuar reagimeve që dënojnë Iranin për sulme armiqësore ndaj Shqipërisë.
Por në një reagim në rrjetet sociale, Berisha shkruan se ai ka kërkuar më herët ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike, dhe se kërkesa e tij nuk është marrë parasysh nga qeveria “për shkaqe të fshehura”.
Berisha pretendon se ekzistojnë lidhje të fshehura që ajatollahët kanë financuar për ardhjen e PS në pushtet.
“Të dashur miq, Republika Islamike e Iranit gjatë këtyre viteve ka projektuar për të ndërmarrë ndaj Shqipërisë një seri aktesh subversive dhe armiqësore të rrezikshme. Për këto akte, në mënyrë të përsëritur, kemi kërkuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me regjimin e ajatollaheve të Iranit. Por kërkesat tona nuk janë marrë parasysh nga autokrati i Tiranës. Kjo ka pasur shkaqet e veta obskure të lidhjeve të përfolura të fshehta, Rama-Veliaj me regjimin e ajatollaheve, të denoncuara nga unë mënyrë të përsëritur, në parlament dhe jashtë tij. Mundet që prapa këtyre lidhjeve qëndrojnë edhe financime të fshehta të regjimit të ajatollaheve për ardhjen e PS në pushtet.
Duke dënuar me forcën më të madhe të gjitha aktet subversive të Iranit ndaj Shqipërisë, sot kërkoj, jo ngrirjen por ndërprerjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Republikën Islamike të Iranit”- thuhet në reagimin e Berishës.
Top Channel