Zyrtari për media i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka njoftuar se pas problemeve me shërbimin e internetit ekspertët kanë nxjerrë përfundimin se ishte sulm kibernetik i cili vinte nga jashtë Kosovës.

Sipas tij sulmi nuk ka depërtuar në infrastrukturë.

“Dje dhe sot, ka pasur probleme të kohëpaskohëshme me shërbimin e internetit në Institucionet e Republikës së Kosovës. Ekipi i sektorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm kanë identifikuar se problemi me shërbimin e internetit është si pasojë e sulmit kibernetik.

Sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë. Është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb faqe të Institucioneve të Republikës së Kosovës. Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, gjegjësisht ekipi i sigurisë kibernetike, ka ndërmarrur veprime konkrete me qëllim të tejkalimit të këtij sulmi kibernetik dhe kthimit në funksion të shërbimit të internetit.

Për momentin, gjendja është stabile – shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online dhe ueb faqet janë funksionale dhe të qasshme. Ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI do të vazhdojë me monitorimin e sigurisë së shërbimeve dhe sistemeve qeveritare dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e funksionimit dhe sigurinë e tyre”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA