Policia e Kanadasë tha se një prej dy të dyshuarve për sulmet me thikë në Saskatçuan është gjetur i vdekur.

Trupi i Damien Sanderson, 31 vjeç, u gjet në James Smith Kri, ku ndodhën vrasjet.

Zyrtarja policore Rhonda Blackmore tha gjatë një konferencë për media se trupi i pajetë i të dyshuarit u gjet të hënën në orën 11:30, sipas kohës lokale.

Gjatë një konference për media, ajo tha se “trupi u gjet në një zonë të gjelbëruar në afërsi të një shtëpie që po ekzaminohej” nga autoritetet. Sipas saj, kishte “lëndime të dukshme” në trup që nuk besohet se janë shkaktuar nga vetë Damien Sanderson.

Megjithatë, policia nuk tregoi se kush ishte përgjegjës për vdekjen e të dyshuarit.

Dy të dyshuarit e sulmeve të së dielës ishin vëllezër dhe i dyshuari i dytë, Myles Sanderson është ende në arrati dhe besohet se gjendet në qytetin Regina. Ai ka qenë i njohur për policinë pasi në të kaluarën kishte kryer krime të ndryshme, përfshirë krime kundër individëve dhe pronës.

Të dielën, 10 persona u therën për vdekje dhe 18 të tjerë u plagosën në rajonin Saskatçuan – një prej akteve më të rënda të dhunës në historinë moderne të Kanadasë.

Regina, që është kryeqyteti i provincës, ishte vendi ku për herë të fundit u panë të dyshuarit.

Policia kanadeze tha se zyrtarët policorë nga tri rajone – Saskatçuan, Manitoba dhe Alberta – ishin përfshirë në operacionet për gjetjen e autorëve.

Pavarësisht se ende nuk është kapur nga policia, Myles Sanderson po akuzohet për vrasje.

Në Saskatçuan, ku gjendet James Smith Kri – shtëpi e afër 2.000 pjesëtarëve të komunitetit indigjen – është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.

Mediat në Kanada kanë identifikuar disa prej vitikave, por zyrtarët ende nuk kanë dhënë informacione për ta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA