Fiks Fare çel sezonin e ri televiziv sot në mbrëmje. Çdo javë, nga e hëna në të premte, duke filluar nga ora 20.10, shqiptarët do të mund të ndjekin programin më të dashur investigativ, nën moderimin e Devit dhe Dorit.
Në krah të tyre, në këtë sezon të ri, do të jenë dy velina të reja, Joana dhe Klaudia. Dy bukuroshet u përzgjodhën pas audicioneve që zgjatën disa javë, ku morën pjesë dhjetëra vajza nga e gjithë Shqipëria.
Biondja, Joana Janushi, 21 vjeçe, është diplomuar për Marrëdhënie Publike pa lënë mënjanë pasionin e saj, kërcimin. Ajo ka një përvojë të gjatë në kërcim, madje edhe në evenimente dhe spektakle. Në krah të saj do të jetë brunia, Klaudia Yzeiri. 22-vjeçarja ka studiuar për balet dhe psikologji. Edhe Klaudia, ashtu si Joana, ka marrë pjesë në shumë aktivitete dhe spektakle brenda dhe jashtë vendit.
Por, epiqendra e Fiks Fare, do të jetë investigimi. Në sezonin e ri, që përkon me 20 vjetorin e emisionit të parë satiro-investigativ, do të vijohet me denoncime të forta.
Duke filluar nga korrupsioni, vjedhjet, shkelja e ligjit nga zyrtarët, siguria ushqimore, krimet kundër mjedisit, apo e një seri shkeljesh të tjera, për të cilat stafi i Fiksit ka vijuar punën pa ndërprerje për disa muaj me radhë.
Tema e parë e sezonit të ri të do jetë një denoncim i fortë për masakrën në pyje. Në zonën më të bukur të Shqipërisë, Alpe, gazetarët kanë faktuar me pamje, zë dhe dokumente, këtë masakër, e cila ka rrafshuar qindra mijëra metra katrorë pyje. Megjithëse është një zonë e mbrojtur dhe duhej të ruhej nga shteti, zona është kthyer në një kantier të madh, ku kamionë ngjiten dhe zbresin çdo orë.
Më pas, kamera e Fiks Fare ka filmuar sipërfaqe të mëdha të mbushura me dru të prerë. Në të njëjtën zonë dëgjohen motoseka apo shihen edhe rrugë të krijuara me të vetmin qellim; shpyllëzimin e “mushkërisë” në Shqipëri! Për më shumë, Ju ftojmë të ndiqni Fiks Fare, duke filluar nga ora 20.10, në sezonin e 20-të.
Top Channel