Enkelejd Alibeaj ka mbledhur ditën e sotme grupin me deputetët mbështetës të tij në Kuvend, disa orë para nisjes së sesionit parlamentar.
Ai i ka paraqitur deputetëve shtyllat kryesorë në të cilat do të punohet më me prioritet në këtë sesion të ri parlamentar.
Fokusi kryesor i Alibeajt dhe mbështetësve të tij do të jenë në reformat legjislative, mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe kontrollin parlamentar.
Alibeaj u shpreh se ndarja nga komunizmi dhe e kaluara, është një borxh që ua kemi atyre që vuajtën në atë periudhë të errët.
“Në nisje të këtij sesioni të ri parlamentar, sëbashku me kolegët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, jam sot përpara jush për të prezantuar prioritetet e grupit tonë gjatë këtij viti të ri parlamentar.
Një vit pas masakrës zgjedhore të 25 Prillit, ku Edi Rama, vodhi zgjedhjet për të vijuar vjedhjen e shqiptarëve, jeta e secilit prej jush nuk është bërë më e mirë. Shqipëria gjendet në një situatë dramatike për shkak të gjendjes ekonomike, nivelit të lartë të korrupsionit, pandëshkueshmërisë dhe lidhjes së politikës me krimin. Shqiptarët cdo ditë e më shumë po humbasin besimin se endërra e tyre e para 32 vjetësh “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” mund të bëhet realitet.
E për fat të keq, në vitin parlamentar që lamë pas, asnjë ndryshim nuk ndodhi në sjelljen në Kuvend.
Shumica pa legjitimitet e kryesuar nga Edi Rama, vijojë të ishte noter i Qeverisë, certifikues i aferave korruptive të Qeverisë, avokate e interesave personale të një grushti njerëzish, duke dalë jashtë misionit që shqiptarët i kanë ngarkuar deputetëve, që është mbrojtja e interesit publik, intertesit të qytetarëve, mbrojtja e të drejtave të tyre, ndërtimi i një shteti social që është krah dhe jo përballë qytetarëve. Gjuha e propagandës së qeverisë është bërë bajate, ajo nuk siguron mirëqenie për shqiptarët, por vetëm mjerim, nuk ofron më shumë siguri për qytetarët, por dëshpërim dhe humbje besimi.
Nga ana tjetër, ne opozita, gjatë vitit që lamë pas, më shumë ishim të fokusuar në një konflikt mes vetes, që konsumoi energji të panevojshme dhe shfokusoi aksionin opozitarë. Tanimë është momenti që opozita të fokusohet vetëm tek problemet e qytetarëve për të ofruar zgjidhjen. Ne besojmë që zgjidhja është rruga për t’i bindur shqiptarët që oferta jonë është e duhura përballë propagandës dhe arrogancës së qeverisë. Për t’i thënë çdo shqiptari se në parlament nuk jemi të gjithë njësoj. Ne jemi të bindur që arroganca e qeverisë mposhtet me ofertë jo me retorikë boshe politike. Me alternativë dhe jo me batuta bajate. Me denoncime konkrete dhe jo me akuza të hedhura në ajër. Me distancim real ndaj korrupsionit dhe oligarkëve, jo me selektivitet dhe lojë interesash.
Prandaj propozojmë prioritetet tona si grup parlamentar për sesionin e ri parlamentar, bazuar në tre shtylla kryesore:
I. Reforma legjislative;
II. Mbrojtja e interesit të qytetarëve;
III. Kontrolli parlamentar.
janë si më poshtë:
I. REFORMA LEGJISLATIVE
1. Reforma Zgjedhore dhe Reforma Administrativo-Territoriale
Për disa muaj Shqipëria do jetë përpara një tjetër përballje elektorale, në zgjedhjet vendore të 2023, që e bejnë prioritet mbi prioritetet përmbylljen sa më parë të dy reformave tashmë të propozuara nga Grupi Parlamentar i PD, Reformën Zgjedhore dhe Reformën Administrativo-Territoriale. Të dyja këto reforma janë thelbësore për mbrojtjen e interesit të qytetarëve. Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe një ndarje administrative që i përputhet nevojës për shërbime ndaj qytetarëve, janë parakushte që pushteti i ri lokal të jetë produkt i vullnetit të qytetarëve dhe në 4 vitet e ardhshme ti përgjigjet vetëm interesit të qytetarëve.
Edhe pse Reforma Zgjedhore dhe Reforma Administrativo-Territoriale janë prioritete të mbartura nga sesioni i shkuar parlamentar, ato do të vijojnë të mbeten prioritet absolut i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Të dy grupet e punës që janë ngritur brenda grupit parlamentar për këto dy reforma, do të konkludojnë brenda muajit Shtator me propozime konkrete, për të hapur më pas diskutimin publik dhe politik lidhur me to.
2. Reforma për Dekomunistizimin e shoqërisë
Në periudhen 1945 – 1990, Shqipëria vuajti regjimin më të egër diktatorial komunist. Gjatë këtyre viteve, 26.768 burra dhe 7.367 gra ishin të burgosur politikë, ndërsa 5.577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë. Nga viti 1946 deri në 1990 u ndërtuan rreth 110 kampe të punës së detyruar, ku mijëra qytetarë shqiptarë u trajtuan si skllevër, duke përjetur terrorin e regjimit diktatorial. Një popull që harron historinë e tij, është i dënuar ta përsërisë atë. Prandaj ndarja me të kaluaren jo të largët të vendit të tyre, është borxh dhe nderim për kujtimin e atyre qindra mijera qytetareve që kaluan fëmijërinë, rininë apo gjithë jetën e tyre në internim, që u burgosën dhe vranë, që u presekutuan dhe vuajtën, thjesht sepse ata vetë apo prindërit e tyre mendonin dhe besonin ndryshe nga regjimi komunist.
Ende sot pas 3 dekadave, ndoshta edhe për neglizhencë të Partisë Demokratike, kemi dështuar të gjithë si shoqëri që të ndërmarrim hapa seriozë dhe të rëndësishëm për tu përballur me të shkuarën komuniste dhe për ti dhënë fund një diskutimi 32 vjecar, për të cilin kujtohemi sa herë interesi i ngushtë partiak e kërkon. Për këtë qëllim, katër iniciativat ligjore të Grupit Parlamentar të PD, si (1) hapja e plotë e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit; (2) ndalimi i simboleve të komunizimit; (3) lustracioni i plotë i jetës politike dhe publike; si dhe (4) krijimi i muzeve të kujtesës kolektive, janë nisma që do të jenë prioritet i yni.
3. Reformat Antikorrupsion dhe luftën ndaj Krimit të Organizuar
Rreziku permanent në 32 vite poskomunizëm në Shqipëri është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Është korrupsioni që ka bllokuar zhvillimin ekonomik të vendit. Është korrupsioni dhe krimi i organizuar që ka bllokuar integrimin europian të Shqipërisë. Është korrupsioni dhe krimi i organizuar që rrezikon sigurinë kombëtare të vendit. Është korrupsioni dhe krimi i organizuar që mban ende në këmbë sistemin e kalbur të tranzicionit shqiptar. Prej kohësh raportet ndërkombëtare flasin në një zë se vendi jonë është më i korruptuari në Rajon dhe Europë dhe reklama e vetme për Shqipërinë mbetet fuqizimi i krimit të organizuar.
1 vit më parë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një paketë të plotë për kontrollin e pastërtisë së figurës dhe integritetit të zyrtarëve të lart. Duke përfituar edhe nga coroditja e opozitës, Edi Rama e ka mbyllur atë në syrtar, duke mos lejuar avancimin e kësaj reforme të shumëpritur nga qytetarët.
Etja për pushtet e pasuri e 250 shqiptarëve, që përbëjnë edhe rrethin e zyrtarëve të lart të shtetit, nuk mund të mbajë peng të ardhmen e 3 milion shqiptarëve të tjerë. Interesi dhe rehatija e 250 shqiptarëve, nuk mund të lë pa shprese e besim 3 milion shqiptarë të tjerë. Korrupsioni nuk është retorikë boshe e politikës që e sjell në vëmeëndje të publikut sa herë lufta politike e ditës ia kërkon. Korrupsioni nënkupton pasurim të paligjshëm të 250 zyrtarëve të lart, korrupsioni përkthehet në jetë luksi të 250 zyrtarëve të lart, korrupsioni shfaqet në pasuritë e pajustifikuara dhe të fshehura të 250 zyrtarëve të lart, korrupsioni vërehet tek lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Për pasojë luftohet, jo përmes retorikës boshe dhe sulmit ndaj institucioneve të drejtësisë, por duke i ngarkuar me ligj organet e drejtësisë, duke i vënë në dispozicion mekanizimin e duhur ligjor, që ti japin fund etjes për pushtet dhe pasurim të paligjshëm të 250 zyrtarëve të lart.
Shqipëria ka nevojë emergjentë për drejtësi, shqiptarët janë të etur për llogaridhënie. Pandëshkueshmëria, paprekshmëria e qeveritarëve, zyrtarëve të lart, bizneseve pranë tyre dhe krimit të organizuar janë arsyeja e vetme pse shqiptarët sot kanë humbur shpresën dhe besimin. Tanimë është koha që SPAK të veprojë dhe të mos ketë më asnjë alibi. Ne do të mbështesim cdo propozim që e forcon SPAK, që con përpara zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe shmang kapjen politike të drejtësisë.
II. MBROJTJA E INTERESIT TË QYTETARËVE
Përvec Reformave legjislative, të cilat shërbejnë për të ndërtuar një Shqipëri të së ardhmes, në fokus të Grupit Parlamentare të Partisë Demokratike, ka qene dhe do të mbeten edhe nevojat emergjente të qytetarëve shqiptarë. Aktualisht 3 janë cështjet prioritare në këtë drejtim:
1. Paketa Ekonomike + Energjitike
Kriza ekonomike ka prekur Shqipërinë dhe cdo ditë po thellon varfërinë në familjet shqiptare. Biznesi është në vështirësi dhe pa asnjë mbështetje. Nga ana tjetër, kriza energjitike është tashmë në vend, por qeveria po merret me propagandë dhe si gjithmonë zgjidhjen e shikon jo tek ndihma ndaj biznesit dhe familjeve shqiptare, por tek shtimi i barrës, rritja e cmimeve për to.
Hartimi i një pakete ekonomike dhe energjitike që i vjen në ndihmë qytetarëve shqiptar është prioritet i Grupit tonë Parlamentar. Shembujt në Rajon, duke përfshirë edhe Kosovën, janë domethënës për të bërë dallimin mes një qeverie që punon për qytetarët dhe një qeverie që punon për veten e saj dhe një grusht njerëzish. Gjatë javës dhe pas përmbylljes së konsultimeve në Grupin Parlamentar, ne do të dalim me propozime konkrete për të përballuar krizën që ka muaj që ka filluar dhe që vetëm pritet të rëndohet nëse nuk merren masat e duhura në kohën e duhur. Jemi të vonuar në këtë drejtim dhe shqiptarët nuk përballojnë dot neglizhencën e qeverisë ndaj shqetësimeve të tyre.
Shqipëria mbetet në krye të listës së vendeve me cmimin më të lartë të hidrokarbureve. Kjo jo vetëm për shkak të nivelit të lartë të taksave, mungesës së reagimit nga Qeveria, por edhe për faktin se Shqipëria është nga të vetmet vende ku cmimi i naftës, benzinës apo gazit, paracaktohet nga Klubi i Oligarkëve, që qeveria e ka emërtuar si Bordin e kontrollit të cmimeve. Gjatë gjithë këtyre muajve, Klubi i Oligarkëve jo vetëm nuk ka mbajtur nën kontroll cmimet e naftës, benzinës apo gazit, por ka shërbyer si një mekanizëm korruptiv për të deformuar tregun në dëm të interesit të qytetarëve. Për këtë arsye, dua të informoj opinionin publik se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka përgatitur dhe ditën e nesërme do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për shfuqizimin si antikushtetues të dy ligjeve mbi bazën e të cilave funksionon Bordi i paracaktimit të cmimit të naftës, benzinës dhe gazit.
2. Paketa e Interesit tonë kombëtar
Proçesi integrimit ka kaluar në një tjetër fazë dhe do të duhet një kontroll më serioz dhe i saktë nga ana e Kuvendit. Ndaj do të ngremë një grup pune dhe propozime konkrete nga ekspertët për të ecur me ritmet e duhura në procesin e integrimit europian. Integrimi europian është prioritet kombëtar, dhe për të cilin duhet të punojmë cdo ditë, për ta cuar përpara dhe për të qenë sa më parë pjesë e familjes europiane.
Njëkohësisht do të angazhohemi në ndihmën për Kosovën dhe futjen e saj në institucionet ndërkombëtare, si dhe stabilitetin në Rajon, një proces që duhet të koordinohet jo vetëm në mënyrë bipartiake, gjithëpërfshirëse, por vecanërisht në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Republikës së Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Ruajtja dhe forcimi i partneritetit strategjik me SHBA, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe, për Grupin Parlamentar të PD është prioritet në mbrojtje të interesit tonë kombëtar. Vendosja në një kurs përplasje të Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar me SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe, nuk do të ishte vetëm devijim nga misioni properëndimor i Partisë Demokratike që nga krijimi, por edhe një rrugë e sigurt për të cimentuar regjimin antidemokratik dhe antiperëndimor të Edi Ramës.
III. KONTROLLI PARLAMENTAR
Grupi Parlamentar i PD në përmbushje të përgjegjësisë së tij për të ushtruar kontroll parlamentar mbi aferat e Qeverisë, do të nisë sesionin e ri parlamentar duke pasur parasysh suksesin e merituar të Komisionit të Inceneratorëve që u vërtetoi shqiptarëve megaskandalin e 430 mln eurove, dhe faktoi sesi Edi Rama, sëbashku me një organizatë të mirëfilltë kriminale, kishin shkelur cdo ligj, cdo procedurë, për të cuar përpara një projekt mafioz të vjedhjes së parave të qytetarëve.
Ne do të përdorim të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar, përfshirë Komisionet Hetimor apo interpelancat, për ti faktuar qytetarëve aferat korruptive të qeverisë dhe abuzimet me pasuritë publike.
1. Megaafera e “Portit të Durrësit”, ku Edi Rama, pa asnjë transparencë dhe pa garë, do të përdor në një projekt privat, miliarda euro pasuri publike;
2. Afera e “Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza”, ku Edi Rama, pa asnjë transparencë dhe pa garë, vendosi të zgjasë nga 20 vjet në 35 vjet afatin e kontratës koncesionare, duke dhënë kështu praktikisht një koncesion të ri që i siguron klientëve të tij edhe mbi 500 milion euro të tjera fitime;
3. Aferat me pronat publike në bregdet me të ashtuquajturat “Investime Strategjike”, ku Edi Rama, pa asnjë transparencë dhe pa garë, po i fal miqëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, pasuri publike me vlerë miliona euro;
4. Aferat në tendrat publik, PPP apo koncesionet në të gjitha fushat, që janë shndërruar në skema të pastra të vjedhjes së qytetarëve dhe janë kthyer në një gropë për Buxhetin e Shtetit;
janë vetëm disa nga cështjet që do ti nënshtrohen kontrollit parlamentar dhe për të cilat do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për anullimin e tyre. Të gjitha këto afera korruptive janë në shkelje të ligjit, të Kushtetutës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, jashtë rregullave të konkurencës së lirë dhe lirisë ekonomike, që janë edhe detyrime që burojnë edhe nga MSA-ja dhe që kanë impakt në procesin e integrimit europian të vendit.
Këto ishin në mënyrë të përmbledhur 3 shtyllat kryesore ku Kryesia e grupit do të orientojë të gjithë punën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, duke e shoqëruar edhe me kontaktin e drejtpërdrejt e të përditshëm me qytetarët dhe ndjekjen e problemeve dhe shqetësimeve të tyre të përditshme.”- tha Alibeaj.
Top Channel